Pak ditë më parë salla e Teatrit Eksperimental 'Kujtim Spahivogli' ishte mbushur plot për të ndjekur shfaqjen me titull provokativ të analistit Mustafa Nano, “Nuk ka kurva në këtë botë”.
Ndërsa analisti performonte në skenë i veshur mjaft sportiv, publiku në sallë ishte i përbërë më shumë nga vajza dhe gra. Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte prania e dy spektatoreve të mbuluara. Ndërsa instiktivisht lind pyetja se si ka mundësi që dy myslimane të devotshme, të paktën këtë përshtypje të lë pamja e tyre të shkojnë dhe të dëgjojnë në teatër me kërshëri një mashkull që flet për orgazmën?
Në fakt kjo i ka bërë përshtypje edhe Nanos, i cili ka folur për gazetën “Panorama".
“Po është e vërtetë ishin në shfaqje dy vajza të mbuluara, por askush nuk i ka fotografuar. Pyeta nja dy të afërm të mitë dhe të gjithë më thanë se nuk u kishte shkuar mendja t’i fotografonin. Ishin si të hutuar nga ajo ngjarje. Ato ishin çupa të reja. Ata që ishin pranë tyre i kishin dëgjuar të qeshnin sidomos me momentet e nxehta të show-t kur unë flisja për seksin, orgazmën, përvojën time seksuale”, shpehet ai.
Analisti shton më tej se të pranishmit ishin trembur nga prania e këtyre vajzave se diçka e keqe mund të ndodhte. “Kjo nuk është një ngjarje e zakontë. Dy vajza të mbuluara nuk duken kurrë në një sallë teatri, madje ato ishin edhe të mbuluara krejt me burka dhe sigurisht që kjo i ka trembur se mendja u ka shkuar se diçka e keqe mund të ndodhte’, tha Nano, duke shtuar në fund se vajzat mund të jenë bërë myslimane me pahir.