Hapësire reklamuese

Aktualitet

E paralajmëroi Rama, media turke zbulon shifrën e LARTË dhe dronët “SIHA” e “IHA” që do të blejmë nga Turqia

Shkruar nga Newsbomb

Shqipëria do të blejë dronë UAV/SİHA me vlerë 8 milion Euro nga Turqia. Në dokumentin e botuar nga Parlamenti, u theksua se blerja e UAV kishte për qëllim rritjen e sigurisë kombëtare. 

Sipas saj bëhet fjalë për mjetet ajrore pa pilot, që prodhohen në industrinë e mbrojtjes me armatim tip (SIHA) të cilët janë dronë të armatosur dhe dronë pa armatim tip (IHA).

Edhe pse në relacion nuk specifikohet se bëhet fjalë edhe për dronë ushtarakë, mediat turke shkruajnë se në fakt dronët tip SİHA që funksionojnë me armatim të prodhuara nga inxhinierë turq veprojnë si një forcë goditëse pasi kanë të integruara municione, ndërsa dronët tip IHA funksionojnë pa armatim e shërbejnë për të monitoruar dhe mbledhur informacion.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi publikoi ​​një video të takimit të tij me zyrtarët e kompanisë Baykar dhe vizitën e tij në fabrikë më parë këtë muaj. Media pranë qeverisë turke, raporton se ekzekutivi shqiptar ka ndarë një fond prej 8 milionë eurosh me qëllim blerjen e dronëve nga Turqia.

Sipas saj, fondi është ndarë që më datë 23 qershor kur edhe janë miratuar ndryshimet në Buxhetin e Shtetit, veprim përmes të cilit sipas turqve, qeveria shqiptare i shtoi buxhetit të ministrisë së Mbrojtjes edhe 8 milionë euro për dronët. Më herët, kryeministri Rama kishte deklaruar se policia do të rrisë kapacitetet monitoruese të qytetarëve përmes dronëve inteligjentë.

Duket se deklarata e Ramës lidhet pikërisht me këtë marrëveshje të zbuluar nga mediat turke. 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu