
Seanca e parë e sesionit parlamentar për vitin 2024 nisi me tensione dhe kaos.
Me bilbilë dhe pankarta në duar të vendosur përreth foltores, deputetët e opozitës vazhduan aksionin e tyre, duke shkaktuar rrëmujë dhe zhurmë në sallën e parlamentit.
LEXO EDHE: Nis me kaos sesioni ri parlamentar, opozita bllokon foltoren dhe i bie bilbilave
Ndonëse prezentë në sallë ishin edhe diplomatët e huaj në Shqipëri, deputetët e opozitës të pabindur për tu ulur në karriget e tyre për mbarëvajtjen e seancës, bënë të pamundur daljen e presidentit Bajram Begaj, i cili sipas axhendës pritej të mbante fjalim hapës në seancën e parë të vitit 2024.
LEXO EDHE: Diplomatët bekojnë sesionin e ri parlamentar, shkojnë në Kuvend
Lidhur me situatën e krijuar në Kuvend dhe pamundësinë që Begaj të mbante fjalimin në Parlament, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i kërkoi ndjesë presidentit për anulimin e fjalës së ti.
“Ndjesë presidentit Bajram Begaj që për shkak të opozitës pamundësohet që qytetarët të ndjekin fjalimin e tij në Kuvend”, tha Lindita Nikolla.
Menjëherë pas anulimit të fjalimit të Begajt në Kuvend, presidenca nëpërmjet një njoftimi zyrtar bëri me dije se “në pamundësi për të drejtuar mesazhin e tij në çelje te sesioni parlamentar nga salla e Parlamentit, Presidenti i Republikës do japë këtë mesazh për shqiptarët nga Presidenca, në orën 18.00.”
Në seancën e kësaj të hënë nuk ishte i pranishëm Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie, pasi është në hetim për korrupsion pasiv nga funksionarë të lartë, vepër penale e kryer në bashkëpunim.
Seanca e parë plenare e këtij sesioni të ri parlamentar për vitin 2024 zgjati vetëm 15 minuta dhe pas thirrjeve të vazhueshme të kryetares Lindita Nikolla u mbyll.
Në seancën e sotme u votua dhe dekreti i presidentit Bajram Begaj për emërimin e Blendi Gonxhes në krye të një ministrie të re, përgjegjëse për tre sektorë, për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, shkruan newsbomb.al.
Po ashtu, në seancën e sotme u votua dhe emërimi i Adea Pirdeni në krye të Ministrisë së Antikorrupsionit.