Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Rajoni

E konfirmon Albin Kurti: Situatë alarmante, mbi 100 persona në Kosovë janë të infektuar me variantin britanik të COVID

Shkruar nga Newsbomb
E konfirmon Albin Kurti: Situatë alarmante, mbi 100 persona në

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti me anë të një psotimi në rrjetet sociale ka njoftuar se mbi 100 qytetarë të Kosovës janë infektuar me variantin britanik të koronavirusit.

Sipas tij, situata është alarmante, ndaj është marrë vendimi që të merren masa shtrënguese për të parandaluar përhapjen më të madhe të COVID-19.

“Trendi i rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19 është bërë i frikshëm. Në bazë të analizës së situatës epidemiologjike me COVID-19 nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) në dy javët e fundit janë raportuar 11.577 raste pozitive, 150 raste fatale, ndërsa shkalla e fatalitetit të rastit (CFR) është 1.29%.

Në pranverën e vitit 2020 me dhjetëra qytetarë testoheshin deri sa njëri dilte pozitiv, kurse tash më shpesh se çdo i pesti po dalin pozitiv me virusin COVID-19.  

IKShPK ka testuar me Real Time PCR 147 mostra pozitive me SARS CoV-2 për detektimin e varianteve të reja, si atij britanik, B.1.1.7, i cili është jo vetëm më përhapës por edhe më vdekjeprurës se variantet e mëparshme të virusit Corona. Këto mostra ishin pranuar nga të gjitha rajonet e Kosovës dhe të cilat kishin rezultuar pozitive në SARS-CoV-2 gjatë ditëve të fundit. Nga numri total i mostrave të testuara, 97.27% e tyre ishin me variantin britanik. Prandaj kjo situatë ku ky variant i rrezikshëm është më së shumti i përhapur, kërkon që të minimizohet edhe më shumë ekspozimi ndaj COVID-19 dhe të ngadalësohet edhe më urgjentisht përhapja e tij, në mënyrë që kapacitetet e shërbimit spitalor të jenë të përballueshme dhe të menaxhueshme.

Në këso situate alarmante jemi të detyruar të veprojmë.

Gjendja emergjente e shëndetit publik, na detyron që të kufizojmë lirinë e lëvizjes, lirinë e tubimit, e të drejtën e privatësisë, dhe lirinë e dhënies së shërbimeve dhe të administrimit të biznesit. Këto kufizime janë të bazuara në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, dhe ashtu siç kanë konstatuar ekspertët shëndetësor nga IKShPK dhe OBSh, janë rreptësisht të nevojshme atëherë kur situata epidemiologjike është e rënduar.

Pas një analize dhe studimi dyjavor, Ministria e Shëndetësisë ka sjellë sot propozim vendimin për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, e të cilin e miratuam në mbledhje të Qeverisë. Aty në mbi 40 pika janë shpjeguar konkretisht masat ndërkaq në ditët në vijim Ministria e Shëndetësisë do t’i sqarojë e përshkruajë edhe më hollësisht ato.  

Marrja e masave është bërë duke iu kushtuar rëndësi tri objektivave: minimizimit të ekspozimit ndaj COVID-19 dhe ngadalësimit të përhapjes së tij, ashtu që kapacitetet shëndetësore të shëndetit publik të mos përmbyten përtej limitit të tyre; ruajtjes së shëndetit mendor dhe fizik të qytetarëve; dhe, për aq sa është e mundur, mbajtjes së aktivitetit ekonomik të hapur. 

Që të ruajmë njëri-tjetrin, që të mbrojmë shëndetin tonë publik, që të kujdesemi edhe për personelin tonë shëndetësor i cili po kujdeset për shëndetin tonë, ju bëj thirrje që t’u përmbaheni masave që janë treguar efektive dhe tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë: ruani distancën fizike, mbajeni maskën mbrojtëse e higjienën personale dhe ajrosini ambientet ku jetoni e punoni. Ndërkohë, po vazhdon vaksinimi dhe po angazhohemi që sa më shpejt të sigurojmë sa më shumë vaksina të reja”, shkruan Kurti.

Kujtojmë se Kosova ka filluar procesin e vaksinimit, megjithëse me ritme të ngadalta për shkak se dozat e vaksinave që ka marrë janë të pakta, ndërkohë që një pjesë e mjekëve dhe infermierëve kosovarë janë vaksinuar në Shqipëri.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll