
Adriatik Hasimi, një nga dy elektriçistët që u plagosën dje në Memaliaj ka treguar momentet e fundit me kolegun e tij Agron Manaj, i cili nuk u mbijetoi dot plagëve të marra dhe fatkeqësisht ndërroi jetë në spitalin e Traumës, shkruan newsbomb.al.
Dy elektriçistët nga fshati Çërrilë kishin inspektuar linjat e tensionit pa urdhër pune dhe pa informuar me parë OSHEE Tepelenë. Edhe një ditë më parë ata kishin dalë vullnetarisht për të rregulluar avaritë në zonën e tyre dhe dje do të bënin inspektimin e punimeve.
Në Policinë e Gjirokastrës Adriatik Hasimi ka thënë se kolegun e ka gjetur në tokë, pas një shpërthimi të fuqishëm. Sot, Policia ka njoftuar arrestimin e drejtorit të punimeve të OSSH, Altin Zhupa, me akuzën e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë.
"Kemi mbërritur poshtë linjës së tensionit dhe unë e kam lënë Agronin poshtë saj ndërsa vetë inspektova një tjetër linjë pak më larg në një terren tepër të thyer. Pas disa minutash dëgjoj një shpërthim. Kthehem me shpejtësi dhe gjej Agronin të shtrirë në shesh me një tel në duar, i cili ishte takuar me linjën e tensionit me përbërje alumini.
Menjëherë kam njoftuar policinë dhe ndihmën e shpejtë, të cilet kanë ardhur. Kemi transportuar në spital Agronin dhe më pas është çuar me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë të mëtejshme", ka thënë kolegu i Agron Manajt, i cili dje ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra gjatë punës për remontin e një linje energjie në fshatin Çërrilë, Memaliaj.
Dëshmia e kolegut të Agron Manajt bëri që një grupi ekspertësh nga Tirana të Inspektoriatit Shtetëror Teknik dhe Industrial të shkonin në vendngjarje. Ata kanë bërë hetimet e tyre dhe ana sot pritet te dalin me një version zyrtar.
Burime për Ora News pohojnë se kontakti me korrentin që i mori jetën Agron Manajt u krye përmes një teli i cili rezultoi vdekjeprurës. Ky tel nuk kishte asnjë lidhje kapilare me linjën që ishte me një lartesi 4 metra nga toka e rrjedhimisht nga viktima. Dyshohet se viktima e ka hedhur telin në linjë, çka mund të quhet si vetëvrasje.