Hapësire reklamuese

Bota

E bujshme/ Dyshime për vrasje e shpërthime, NATO dëbon tetë diplomatë rusë

Shkruar nga Newsbomb
E bujshme/ Dyshime për vrasje e shpërthime, NATO dëbon tetë

NATO-ja dëboi tetë diplomatë rusë dhe planifikon përgjysmimin e misionit vëzhgues të Rusisë në aleancën veri-atlantike, si përgjigje ndaj aktivitete të dyshimta të spiunazhit si vrasje, tentim-vrasje dhe shpërthime, të kryera nga agjencitë ruse të zbulimit në Evropë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se vendimi nuk lidhet me ndonjë ngjarje të veçantë, por tha se aleanca duhet të veprojë ndaj aktiviteteve dashakeqe ruse. I menjëhershëm ishte reagimi nga Kremlini.

Tetë anëtarët e misionit diplomatik rus në aleancën veri-atlantike, të cilët akuzohen se punonin për agjencitë ruse të zbulimit, duhet të largohen nga Brukseli deri në fund të këtij muaji.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolenberg tha se për momentin marrëdhëniet mes Rusisë dhe NATO-s janë në pikën e tyre më të ulët, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

“Kemi hequr akreditimet e tetë anëtarëve të misionit rus në NATO, të cilët janë oficerë të padeklaruar të zbulimit rus. Ky vendim nuk lidhet me ndonjë ngjarje të veçantë. Por kemi vërejtur një rritje të aktiviteteve dashakeqe të Rusisë“, tha zoti Stoltenberg në një konferencë shtypi.

Drejtuesi i NATO-s tha se aleanca është e gatshme për dialog me Rusinë, por se deri tani Kremlini nuk ka treguar vullnet për të biseduar.

“Kemi parë veprimet e tyre agresive, jo vetëm kundër Ukrainës, por edhe ngritjen e konsiderueshme ushtarake dhe shkeljet e marrëveshjeve të rëndësishme të kontrollit të armëve, siç është traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme, gjë që çoi në shkatërrimin e këtij traktati, i cili ndalonte të gjitha sistemet e armëve me rreze të mesme veprimi”, tha ai.

Kremlini tha se vendimi i NATO-s minoi pothuajse plotësisht shpresat e saj se marrëdhëniet mund të normalizoheshin dhe se dialogu me aleancën e udhëhequr nga ShBA mund të rifillonte.

“Ka një mospërputhje të dukshme në deklaratat e përfaqësuesve të NATO-s lidhur me vullnetin e tyre për të normalizuar marrëdhëniet me vendin tonë dhe veprimet e tyre aktuale”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Të 30 vendet anëtare të NATO-s miratuan vendimin për shkurtimin e misionit vëzhgues rus, i nisur dy dekada më parë për të ndihmuar përmirësimin e dialogut dhe bashkëpunimit në fushat e përbashkëta të sigurisë.

Kjo nuk është hera e parë që NATO përjashton diplomatë rusë nga selia e aleancës. Shtatë diplomatë ishin përjashtuar më 2018, pas helmimit të Sergei Skripalit, ish oficerit të zbulimit rus, që kishte kërkuar strehim në Britani.

Kremlini mohoi përfshirjen në përpjekjen për vrasjen e tij, por Britania ka identifiuar oficerë të zbulimit rus për të cilët thotë se qëndrojnë pas helmimit.

Muajin që shkoi policia britanike akuzoi një të dyshuar të tretë nga agjencia e inteligjencës ushtarake ruse për helmimin.

Në prill, zyrtarët çekë thanë se dy agjentë rusë, të dyshuar për helmimin e Skripalit, ishin përfshirë edhe në organizimin e shpërthimit në një depo çeke të municionit më 2014, ku u vranë dy persona./ VOA

Sondazh

Poll