Hapësire reklamuese

Bota

E ardhmja e opozitës ruse pas vdekjes së Alexei Navalnyt

Shkruar nga Newsbomb
E ardhmja e opozitës ruse pas vdekjes së Alexei Navalnyt

Në Rusi, po vazhdojnë votimet për zgjedhjet presidenciale, të cilat pritet të zgjasin sundimin e presidentit Vladimir Putin edhe për gjashtë vite. Zgjedhjet janë fiktive, pasi kundërshtarët politikë të Presidentit Putin, janë në burg, në mërgim dhe kundërshtari më i ashpër i tij, Alexei Navalny vdiq në burg. Pas vdekjes së tij shumë pikëpyetje u ngritën mbi të ardhmen e aksionit opozitar në Rusi.

Ekipi i Navalnyt thotë se do të vazhdojë përpjekjet kundër sundimit të Presidentit rus, ndërsa një provë e fortë pritet të jetë protesta që do të mbahet ditën e nesërme, me thirrjen “Mesdita kundër Putinit”.

Pas vdekjes së kreut të opozitës ruse, Alexei Navalny, i cili humbi jetën papritur muajin e kaluar në një burg të Arktikut, ekipi i tij gjendet përballë një sfide: Të mbajë gjallë lëvizjen opozitare kundër Presidentit Vladimir Putin nën shembullin e ish-udhëheqësit.

Një provë e rëndësishme pritet të shënohet të dielën, dita e fundit që rusët mund të votojnë për zgjedhjet presidenciale, që shihen gjerësisht më shumë si një formalitet sesa si një votim për demokraci. Ekipi i Navalnyt po u kërkon rusëve të dynden në qendrat e votimit të dielën në mesditë për të treguar pakënaqësinë e tyre për sundimin e Putinit dhe luftën e nisur nga ai kundër Ukrainës.

Thirrja për protestën nën moton “Mesdita kundër Putinit” është bërë nga e veja e Navalnyt, Yulia Navalnaya. Mbështetësit e Navalnyt kanë shprehur mendime të ndryshme për aksionin opozitar.

“Me vdekjen e Navalnyt duket se gjithçka u shkatërrua. Edhe pse bashkëshortja e tij, Julia, mori mbi supe aksionin e tij nuk mendoj se do të jetë njësoj si në kohën e Alexeit. Për këtë arsye dyshoj se në Rusi do të bëhet më mirë ”, thotë Valery, një banor në Moskë.

“Fakti që kaq shumë njerëz u shfaqën në funeralin e tij, për mua ishte e papritur, sepse mendova se gjithçka kishte vdekur në Rusi. Por kur pashë pjesëmarrjen, aq shumë njerëz, kuptova se nuk i dija të gjitha”, thotë Maria, banore në Moskë.

Vetëm disa ditë pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Navalnaya u shpreh e vendosur për të vazhduar misionin e tij. Muajin e kaluar, ajo foli në Parlamentin Evropian, u takua me Presidentin amerikan Joe Biden dhe u kërkoi vendeve perëndimore të mos i njohin rezultatet e zgjedhjeve në Rusi. Po ashtu, ajo i ka bërë thirrje Perëndimit që të vendosë më shumë sanksione ndaj njerëzve të aftërt me presidentin rus.

“Vetë Navalny shmangu përpjekjet për të ndërtuar marrëdhënie me qeveritë perëndimore, sepse ai mendonte se kjo ishte një betejë që duhej fituar në Rusi. Dhe mendoj se ai ishte pak i shqetësuar se kjo do të ishte ishte një njollë për opozitën, mund ta bënte të duket si një projekt perëndimor. Në situatën aktuale mendoj se njerëzit do të vlerësojnë nëse duhet të vazhdojë të ndiqet ky parim apo jo”, thotë Sam Greene, drejtor në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane.

Përpara zgjedhjeve, ekipi i Navalnyt u bëri thirrje mbështetësve që të votojnë për çdo kandidat tjetër përveç Putinit, ose ta bëjnë fletën e votimit të pavlefshme. Ekspertët thonë se protesta e së dielës do të jetë një provë mbi ndikimin që mund të ushtrojnë në Rusi, opozitarët që gjenden jashtë vendit.

“Ka pyetje për të cilat opozita ruse po përpiqet të gjejë përgjigjet. Njëra prej tyre është: Çfarë mund të bëhet në të vërtetë në Rusi? Disa përgjigje mund t’i marrim nga pjesëmarrja në ditën e zgjedhjeve. Do të shohim nëse do të ketë përshkallëzim dhe se si do të reagojë regjimi ndaj protestës. Unë mendoj se po synojnë t’u dërgojnë një mesazh njerëzve në Rusi se nuk janë vetëm, se opozita në mërgim do t’i mbështesë. Por pyetja tjetër është se si do t’i mbështesin ata njerëz atje?”, thotë Sam Greene, drejtor në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane.

Grupi i pavarur që mbikqyr zgjedhjet në Rusi, Golos, raportoi se zyrtarët në të paktën një rajon po udhëzohen të raportojnë në polici grumbullimet e mëdha pranë qendrave të votimit.

Prokuroria në Moskë paralajmëroi të enjten mbrëma se tubimet e paautorizuara pranë qendrave të votimit “që mund të pengojnë qytetarët të ushtrojnë lirisht të drejtën e votës dhe punën e komisioneve zgjedhore”, janë një vepër penale që dënohet deri në pesë vjet burg. Edhe pse gjenden në mërgim, kundërshtarët e Putinit janë tejet të rrezikuar./VOA

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese