Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ditën e sotme ka bërë një vizitë, pranë ambienteve të Urgjencës Pediatrike në QSUT.
Ajo u shpreh se për pak ditë bëhen dy vite nga identifikimi i rastit të parë me COVID në Shqipëri duke theksuar se është krenare për punën e bërë në menaxhimin e pandemisë.
“Jam e bindur që infrastruktura e re ka bërë që procesimi të bëhet në kohë më të shpejtë. Jam e bindur që kështu do shkojë. Me uljen dhe ngritjen e rasteve. Jam e kënaqur që e keni menaxhuar në mënyrë perfekte gjithë këtë situatë.
Ju falenderoj të gjithëve për këtë periudhë të vështirë dhe mjaft sfiduese. Edhe diçka. Për pak ditë bëjmë dy vjet nga identifikimi i rastit të parë me COVID në Shqipëri. Nëse bëjmë një përmbledhje të projekteve që kemi çuar përpara, duhet të ndihemi krenarë për punën që kemi bërë.
Ja që kur bashkëpunohet mirë dhe kur jemi me njëri tjetrit, ajo bëhet realitet ashtu si u bë në këtë spital. Kjo është vetëm faza e parë. Mos paçim raste të vështira. Le të shpresojmë që të vazhdojmë të njëjtin trend me ulje të shifrave”, tha ministrja.