Autoritetet në Athinë kanë sekuestruar dy valixhe me pasaporta të falsifikuara, leje qëndrimi, karta ID dhe letërnjoftime të azilkërkuesve.
Policia greke ka vënë në pranga dy persona me shtetësi të huaj, të cilët akuzohen si anëtarë të grupit të falsifikatorëve.
Autoritetet në vendin fqinj gjetën një sasi të madhe dokumentesh të falsifikuara, përkatësisht 707 pasaporta, 358 karta identiteti, 57 leje qëndrimi, 36 leje drejtimi dhe 15 karta azilkërkuesi. Mes dokumenteve të sekuestruara ka edhe nga Shqipëria, si karta ID apo pasaporta.
Dy të arrestuarit u pikasën nga policia në rrugën Acharnon, ndërsa këta dy të fundit ia mbathën me vrap, duke braktisur në rrugë valixhet me dokumente të falsifikuara.
Por nuk zgjati shumë dhe policia greke bëri të mundur arrestimin e dy falsifikatorëve.
Hetimi nga ana e policisë ende nuk ka përfunduar, pasi sipas vlerësimeve në këtë ngjarje janë të përfshirë më shumë persona.