Serbia ka rritur numrin e punonjësve të Policisë në shkolla, pas dy masakrave me 17 të vdekur. mbi 20 të tjerë të plagosur. Tragjedi këto që ndodhën brenda 48 orëve.
“Nga sot, prezenca e policisë është shtuar në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Serbi”, tha zyrtarja e policisë, Danijela Ostojiç, nga Drejtoria e Policisë në Serbi, duke shtuar se do të ketë “prezencë të vazhdueshme” të policëve gjatë orëve të mësimit.
Ajo tha se në Serbi gjatë ditëve të fundit janë raportuar më shumë se 120 kërcënime nga studentë dhe postime me përmbajtje të papërshtatshme në rrjete sociale.
“Për këtë arsye, Ministria edhe një herë apelon tek të gjithë qytetarët që ta ruajnë mendjen e shëndoshë dhe stabilitetin, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët tanë që ndjekin informacione nga burime dhe media të ndryshme. Profilet e tyre në rrjete sociale duhet të jenë nën kontrollin e prindërve”, tha Ostojiç.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, njoftoi tre ditë më parë se Policia do të rrisë patrullimet në rrugë dhe shkolla në javët e ardhshme, për t’i ndihmuar shtetasit serbë ta rifitojnë ndjenjën e sigurisë.