Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Dy kapsolla tymëse për të "prishur" koncertin e Bregoviç, policia ndalon të riun pasi hodhi të parën (Foto - incidenti)

Shkruar nga Newsbomb

Redon Leka, 21-vjeç është arrestuar nga policia në Korçë, pasi tentoi të hedhë dje në koncertin e Bregoviç dy kapsolla lakrimogjene.

Të parën arriti ta hedhë duke shkaktuar panik, ndërsa të dytën jo sepse u ndalua menjëherë nga forcat e rendit që dje ishin në  numër te shtuar në shesh.

Uniformat blu bëjnë me dije se është proceduar penalisht edhe një shtetas tjetër me ininciale F.K, 33 vjeç, banues në Lushnjë,  sepse kundërshtoi efektivët e policisë gjatë shoqërimit  të Lekajt.

Kjo që shihni në foto është kapsolla e pandezur që ka dashur të hedhë djali.

Dikush tjetër ka filmuar skenën për të treguar se po bëhet rrëmujë. Të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje janë ndaluar nga policia e Korçës dhe janë duke u pyetur.

Goran Bregoviç performoi dje në natën e fundit të Festës së Birrës në Sheshin e Terminaleve në Korçë pavarësisht se kishte shumë thirrje për prishjen e koncertit. Ndërkohë, me qindra e mijëra ishin shqiptarët që ndoqën koncertin e Bregoviç.

Njoftimi i plotë i policisë Korçë:

Hodhi kapsolla lakrimogjene gjatë Festës së Birrës, vihet në pranga autori i dyshuar i ngjarjes, me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër rendit, sigurisë publike dhe pronës.

Procedohet penalisht  edhe 1 shtetas tjetër, që kundërshtoi punonjësit e policisë gjatë shoqërimit të autorit të dyshuar.

Në vendngjarje u sekuestrua një kapsollë e paplasur.

Arrestohet edhe një 26-vjeçar për prodhim dhe shitje të narkotikëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Redon Leka, 21 vjeç, banues në Tiranë (me precedent të mëparshëm penal në fushën e prodhimit e shitjes së narkotikëve, trafiqeve të paligjshme dhe krimeve kundër pronës) si edhe filluan procedimin penal për shtetasin F. K., 33 vjeç, banues në fshatin Xeng, Lushnjë.

Më datë 22.08.2021, gjatë Festës së Birrës, 21-vjeçari Redon Leka, ka hedhur kapsolla lakrimogjene, me qëllim cënimin e rendit dhe sigurisë publike në aktivitet, por menjëherë u kap nga shërbimet e policisë duke bërë që ky veprim të mos cënonte mbarëvajtjen e aktivitetit i cili u mbyll sipas programit. Gjithashtu nuk influencoi as në pjesëmarrjen e publikut.

Gjatë shoqërimit të shtetasit Redon Leka, për në ambientet e Komisariatit, shtetasi tjetër F. K., ka kundërshtuar forcat e policisë, me qëllim pengimin e tyre në kryerjen e detyrës.

Në vendngjarje u gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 kapsollë detonatore e paplasur.

Nga ana e Policisë po punohet për dokumentimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese