Hapësire reklamuese

Politikë

Dy grupet u bashkuan në seli, reagon Berisha: Bënë realitet dëshirën e shqiptarëve

Shkruar nga Newsbomb
Dy grupet u bashkuan në seli, reagon Berisha: Bënë realitet

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për herë të parë lidhur me mbledhjen e mbajtur këtë të hënë në ambientet e selisë blu. Ndonëse vetë nuk ishte i pranishëm, pasi ndodhet në “arrest” shtëpie Berisha u shpreh se ky bashkim është akti më i përgjegjshëm para demokratëve.

Nga dritarja e banesës së tij, Berisha tha se 43 deputetë të Partisë Demokratike bënë realitet dëshirën e 700 mijë shqiptarëve.

“Të dashur miq, në historinë e PD-së, opozitës shqiptare, por edhe Shqipërisë dhe kombit, për aq sa PD, forca kryesore opozitare e vendit është sot shpresë e vetme e shqiptarëve, sot pas një betejë të përbashkët 1-vjeçare, por edhe pas përplasjeve dhe kundërshtive hera herë edhe të forta, 43 deputetë të PD, të koalicionit opozitar, u mblodhën së bashku në drejtimin e kryetarit të grupit parlamentar në selinë e partisë dhe bënë realitet dëshirën e rreth 700 mijë shqiptarëve që votuan më 25 prill për PD-në dhe koalicionin e saj”, tha Berisha, teksa më tej theksoi se ky bashkim ka tronditur Edi Ramën.

LEXO EDHE: Pas dy vitesh deputetët demokratë bëhen bashkë në “shtëpi”, përfundon mbledhja në PD

Duke u ndalur te protesta e cila pritet të mbahet më 20 shkurt, Berisha tha se në këtë datë do të jetë dita e triumfit.

“Theksoj se ky bashkim nuk ishte i thjeshtë pas përplasjeve të forta të vjeshtës së vitit 2021, por ky bashkim ishte bashkimi më i natyrshëm i politikanëve të përgjegjshëm, atdhetarë, demokratë, të mandatuar nga elektorati i PD.

Ky bashkim ishte akti më i përgjegjshëm para zgjedhësve shqiptarë, dhe në veçanti para jush, demokratë të këtij vendi.

Ky bashkim është padyshim akti më i mirëpritur për çdo demokrat që pa përfaqësuesit e tij të bashkohen në mbrojtje të interesave të tij dhe që shohin te ky bashkim rrugën më të sigurtë drejt fitores.

Por duhet të jeni të sigurt se ky bashkim është pritur me tmerr nga kreu i organizatës kriminale, Edi Rama, i cili bëri gjithçka, përdori mjetet më antidemokratike, mohimin e të drejtave themelore të deputetëve, arrestimin e liderit të PD, vetëm që ky bashkim të mos ndodhte.

Edi Rama, sot i tronditur gjer në shpirt, përpiqet të kërcënojë me zgjedhje. I them Edi Ramës se zgjedhjet do bëhen kur të dojë opozita dhe se ti ke fundin tënd. 20 shkurti është dita e triumfit të opozitës.

Së fundmi miqtë e mi, ky bashkim i politikanëve, deputetëve tuaj, në diversitet, në shumësi mendimesh, e bëjnë forcën tonë politike më demokratike, më të fortë se ndonjëherë. Ky bashkim tregon se opozita është sot gati për fitore. Se opozita ka zgjuar luanin e fjetur të shqiptarëve dhe se me 20 shkurt, nis betejën pa kthim në sheshet e Tiranës kundër diktaturës së Edi Ramës.

Më 20 shkurt, shqiptarët, demokratë, të paparti, socialistë të zhgënjyer, të gjithë në këmbë, të gjithë në Tiranë për të inauguruar pranverën e demokracisë”, tha Berisha ndër të tjera.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese