Hapësire reklamuese

Aktualitet

Dy dekada në drejtësi, prokurorët Suka e Koloshi konfirmohen në detyrë

Shkruar nga Newsbomb
Dy dekada në drejtësi, prokurorët Suka e Koloshi konfirmohen

Dy prokurorët Ritvan Suka dhe Edmond Koloshi janë konfirmuar në detyrë këtë të enjte, 7 Dhjetor 2023, pasi kanë kaluar me sukses procesin e vettingut. Të dy magjistratët kanë dy dekada që ushtrojnë profesionin në sistemin e drejtësisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të enjten më 7 dhjetor vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Ritvan Suka. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Alma Faskajn.

Gjatë seancës dëgjimore më 5 dhjetor Suka dha shpjegime më së shumti për bilancet negative në blerjen e dy apartamenteve, pasuri për të cilat tha se njërën e kishte blerë për llogari të babait, pasi ky i fundit punonte si emigrant në atë periudhë e nuk mund të vinte shpesh në Shqipëri. Ai pretendoi se kishte vërtetuar burimet e ligjshme të pasurive.

Ritvan Suka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si prokuror në Tropojë, ndërsa në vitin 2008 është transferuar në Prokurorinë e Elbasanit. Prej majit të vitit 2023, Suka e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Po këtë të enjte KPK shpalli vendimin për konfirmin në detyrë të prokurorit të Durrësit, Edmond Koloshi. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin.

Gjatë seancës së parë më 13 nëntor, Koloshi u përball me pyetje për dy apartamente të blera nga prindërit para fillimit të detyrës dhe transaksionet mbi këto apartamente, si dhe dha shpjegime për disa denoncime dhe gjetje në kriterin profesional.

KPK riçeli hetimin administrativ bazuar në disa denoncime për të cilat prokurori Koloshi dha shpjegime në një seancë të dytë dëgjimore më 5 dhjetor.

Edmond Koloshi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 dhe ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Lezhës deri në vitin 2007. Prej asaj kohe, ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Durrës. /BIRN

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese