Rafael Dwamena, futbollisti me origjinë nga Ghana që ndërroi jetë tre ditë më parë në fushën e Egnatias, ka shokuar botën e sportit dhe opinionin publik në Shqipëri. 28 vjeçari ishte një ndër golashënuesit më të mirë të kategorisë superiore, por një arrest kardiak i mori jetën.
Ndeshja mes Egnatias dhe Partizanit u ndërpre në minutën e 24-t dhe përfundoi me aq, pasi futbollisti i ekipit rrogozhinas pësoi një sulm në zemër dhe fatkeqësisht mbylli sytë përgjithmonë.
Rafael Dwamena u dërgua me urgjencë në spital, por këtë herë fati nuk ishte më ganezin. Gazetarja Dorjana Bezat ka deklaruar në emisionin "Top Story" se i vëllai dhe partnerja e futbollistit e kanë parë nga shkallët e stadiumit ikjen e njeriut të tyre më të shtrenjtë.
"Momenti kur ka ndodhur ngjarja, Dwamena kishte pasur në stadium bashkëshorten dhe vëllain e tij që kishin ardhur për të parë ndeshjen dhe kjo do të ishte edhe ndeshja e tij e fundit sepse në minutën e 24 ndodhi fatkeqësia", është shprehur ajo.