Tirana
clear sky
4.5 ° C
4.5 °
4.5 °
75 %
0.5kmh
0 %
Hën
6 °
Mar
12 °
Mër
14 °
Enj
12 °
Pre
14 °
E hënë, 28 Nëntor, 2022

Duke kërkuar spiunët rusë në Gramsh

spot_img

Lajme të ngjashëm

Nga Ben Blushi

Një nga dëmet e shumta që Putini i ka bërë rusëve, është se ata duken të këqinj edhe kur janë budallenj.

Megjithatë letërsia dhe kinemaja perëndimore i ka dëmtuar rusët edhe më shumë se Putini.

Me përjshatim të Doktor Zhivagos apo ndonjë snajperi romantik, në filmat për Stalingradin, rusët kanë tendencë të duken gjithmonë pak të ngathët, pak të trashë si muzhikë, pak të ashpër dhe të pagdhendur si tartarë, ose pak të shëndoshë dhe të siberoizuar, me pak fjalë të skuqur dhe të dehur si djemtë e nëndetëses 105, kur po bëheshin gati të iknin nga Vlora.

Këto paragjykime për rusët, duhet ti kenë patur edhe policët e Gramshit kur i arrestuan në flagrancë, pa dyshim edhe prokurorët e gjyqtarët që po merren me dosjen e tyre.

Unë nuk e di nëse ata ishin spiunë, por jam i sigurt se nëse ishin, atëherë ishin amatorë.

Me pak fjalë ata u sollën si rusë të vërtetë, që besojnë se ushtria është arti i tyre dhe hyrja në një uzinë ushtarake për një rus, është poaq e natyrshme sa hyrja e një francezi në guzhinë, apo vajtja e një anglezi në pub dhe prandaj nuk ka pse ndëshkohet.

Unë shkova vetë në Gramsh për të ndjekur rrugën e tyre dhe megjithëse, pas vizitës surprizë të rusëve, dera e uzinës ishte shumë e mbrojtur, sërish ishte shumë e lehtë që nga cdo shtëpi fshati të mund të fotografoje rehat, për të kuptuar se në ato rrënoja tani nuk zhvillohet asnjë aktivitet ushtarak.

Por sic thonë Curiosity killed the cat. Kurioziteti e vrau macen. Kështu i ndodhi edhe rusëve.

Sakrifica e tyre si spiunë ishte e panevojshme, ndërsa agresiviteti si turistë ishte i tepërt.

Është njëlloj sikur të shkosh në restorantin e Himarës dhe në vend të celularit të vesh një pistoletë mbi tavolinë dhe pastaj ti thuash kamarierit, shko të dyqani përballë dhe me ble ca fishekë.

Pak a shumë kjo është ajo që bënë rusët e Gramshit, e shpjeguar me gjuhën e sezonit turisktik.

Në kushte të tjera, pra nëse nuk do ishte lufta në Ukrainë, ata do shoqëroheshin ne polici dhe të nesërmen do liroheshin si ca të rinj të papërgjegjshëm, që ngatërruan një uzinë me një muze armësh të vjetra.

Dhjetëra gazetarë nuk do prishnin të shtunën mbrëma për të dalë në punë dhe unë nuk do kaloja te shishja e tretë e birrës në plazh, duke menduar se kjo ngjarje tregon se Putini ka një plan.

Për hir të së vërtetës atë natë, kur rusët sulmuan dy ushtarë shqiptarë, pothuajse u binda se Putini ka një plan dhe në fund të fundit pse duhen prova të tjera, a nuk mjafton që tre turistë të maskuar, në vend që të shkojnë në Golem apo në Sarandë, sic bëjnë gjithë turistët e tjerë, kërkojnë një uzinë të fshehur dhe kjo ndodh pikërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë, pra çka duhet më shumë për të besuar se harta e Shqipërisë është mbi tavolinën e Putinit si një destinacion konflikti dhe se ditën kur ai ka vendosur të ndryshojë rrjedhën e historisë sonë, mënga e xhaketës i ka mbetur në ferrat e Gramshit dhe i bezdisur ka thënë: më shpëtoni prej tyre. Pjesa tjetër e historisë tashmë dihet.

Megjithatë a ka vërtet Putini një plan?

Unë mendoj se Ushtria Ruse e ka gjithmonë një plan, por kjo fjali më duket pak militariste, shumë luftënxitëse dhe tmerrësisht e pavend dhe dua të ndryshoj temë dhe të them se unë vetë nuk kam marrëdhënie të mira me ushtrinë.

30 vjet më parë kam bërë një libër me titullin, 100 Ushtarë, që u shtyp fshehurazi në një shtypshkronjë civile dhe u shit dorë më dorë, jo vetëm sepse kishte tirazh të kufizuar, por sepse shumica e poezive dhe prozave të mia ishin të pakuptueshme dhe prandaj dukeshin si letërsi e verdhë.

Disa kopje të këtij libri, i gjeta para ca kohësh në një librari në mbyllje e sipër në Tiranë dhe kam fat që i kam akoma, për të kuptuar se kur shkruaja poezi, nuk kisha pasion, por thjesht nevojë për të renditur vargje në një mënyrë gjeometrike që surealistët francezë e kishin bërë me shumë pasion.

I thashë këto, për të thënë se, titulli i librit, 100 Ushtarë, në vetvete, nuk ka asnjë lidhje me ushtrinë dhe tregimi që i ka dhenë librit këtë titull, nuk flet fare për ushtarë, por për një njeri që rri para pasqyrës dhe mendon.

Por kthehemi në Gramsh.

Që rusët nuk kanë raport të mirë me anglishten kjo kuptohet sa i afrohesh fshatit ku ndodhet Uzina e Armëve.

Nëse unë do isha rus dhe do dija anglisht, do kisha patur frikë sapo të shihja tabelën me emrin e fshatit.

Fshati quhet Çekin. Check in.

Nuk e di kush ka vendosur që Uzina ushatarake të ndërtohet në një fshat me emër kontrolli.

Çekin dmth kontrollo, zonë e kontrolluar apo zonë në të cilën, do kontrollohesh po të hysh.

Si Check Point Charlie në Berlin që ndante dy Gjermanitë, Check Point Gramshi në Çekin ndan zonën civile nga ajo ushtarake.

Gjererali apo inxhinjeri, që ka vendosur ta ndërtojë Uzinën e Armëve në një fshat me këtë emër, ka qenë gjenial, duke patur parasysh se në kohën e komunizmit ne krijonim armë për t’u mbrojtur kryesisht nga ushtarë që dinin anglisht, siç ishin amerikanët dhe anglezët dhe ky emër ishte një garanci se, cilido prej tyre që do afrohej aty, do mendohej mirë.

Çekin. Mos u afro.

Rusët u afruan sepse nuk dinin anglisht. Nuk besoj se prokuroria do t’ia njohë këtë gabim si rrethanë lehtësuese, por është e qartë se për sa pak ngatërresa gjuhësore, mund të shkosh në burg në Republikën e Shqipërisë.

Sidoqoftë po vazhdoj më tej.

Për shkak të zhurmës që bëri lajmi i hyrjes së tre spiunëve rusë dhe ukrainas në Gramsh, me siguri, spiunë shumë më të aftë se ata, janë bërë kuriozë dhe janë afruar këto ditë në atë zonë.

Para meje ishte një makinë me targa Beogradi.

Ndryshe nga çfarë e kam zakon, kur parakaloj çdo makinë që kam përpara, unë e ndoqa makinën me durim në shumicën e kthesave të forta përreth liqenit të Banjës.

Janë të rralla rastet që kam patur në jetë, për t’u ndjerë një patriot në veprim, por mu duk se ky ishte rasti im.

Kisha përpara një makinë me targa serbe, që po shkonte ngadalë në Gramsh, pikërisht aty ku një javë më parë, tre rusë dhe ukrainas kishin sulmuar dy ushtarë shqiptarë, në një uzinë ushtarake. Çfarë duhet më, për të ndërtuar një skenar sipas të cilit, Atdheu është në rrezik, dhe ti je aty për ta mbrojtur.

Dhe kur flas për vete, nuk flas për një njeri pa eksperiencë në artin e luftës.

Unë kam bërë zbore dhe parakalime ushtarake, kam mbajtur armë dhe kam bërë qitje me kallashnikov, kam mësuar lëndë luftarake në të cilat, me pak fat, kam marrë notë kaluese, jam instruktuar si të zbërthej karikatorin, ta lyej me vaj dhe të mbroj thepin nga tronditjet që i japin gjatë ecjes flirtuese gjimnazistë të pakujdesshëm si puna ime, por kurrë nuk isha ndjerë më shumë se në këtë moment, i detyruar të mbroj Atdheun.

Ushtar nuk bëhesh kur do, por kur duhet.

Ja që erdhi dhe dita ime dhe duke ngarë makinën, po mendoja se, sa të padrejta kanë qenë gjithë injorimet dhe talljet që unë dhe shokët e mi të gjimnazit, i kemi bërë lëndëve ushtarake duke menduar se ato nuk do na hynin kurrë në punë, apo më keq, duke besuar ato vargjet fatale, pse jo satanike, që me dy rima të thjeshta rrëzuan 40 vjet komunizëm ushtarak dhe që thonë se:

Në luftë shkojmë, nga lufta vimë, që armiku jemi Ne, akoma nuk e dimë.

Ja pra që armiku nuk ishim vetëm Ne, por edhe disa serbë në një makinë modeste para meje, që po shkonin të përfundonin atë që disa rusë, para tyre, kishin dështuar ta arrinin.

Unë vazhdova të ngas makinën duke menduar se ndoshta koha më kishte thirrur, sepse në fund të fundit ç’punë kisha unë atë ditë në Gramsh, kur mund të merresha me shumë punë të tjera, fjala bije të shkoja në Mamurras, siç bëj zakonisht, kur është kohë e mirë dhe t’i lutem mikut tim Dom Altinit,famullitarit të këtij qyteti, të më gjejë ndonjë besimtar, apo siç thotë ai, ndonjë dele nga grigja e tij e urtë, për ta fotografuar.

Pra atë ditë mund të vija bast, se në atë rast, atë çast, nuk isha pa kast, aty në Gramsh.

I ndoqa pra serbët dhe atëherë kur po bindesha se shpejtësia e tyre frenuese ishte e dyshimtë, makina ndaloi. Mu duk vetja rus, nuk po them budalla, që të ndaloja edhe unë pas tyre dhe vazhdova drejt Çekinit.

Çekini është një fshat dy kilometra para se të hysh në Gramsh. I ngjan një rrethi mbi një kodër brenda të cilit janë vendosur disa shtëpi. Në zemër të rrethit është Uzina e Armëve.

Me sa duket, për shkak të Uzinës, ose ndonjë premtimi elektoral të mbajtur, të gjitha rrugët e Çekinit ishin të asfaltuara dhe për ta përshkruar gjithë këtë perimetër me makinë nuk duhen më shumë se 4 minuta.

Ky është Çekini.

Para se të shkoja te Uzina, e cila është një grumbull pemësh të harlisura, që nuk i ka disiplinuar dot asnjë rregullore ushtarake, ndalova në një klub, nga lartësia e të cilit duken disa godina dhe një oxhak që dikur, nxirrte tymin e shkrirjes së barutit me të cilin formoheshin fishekët e luftës.

Burrin që kishte klubin e kisha parë në televizor të thoshte se, rusët kishin patur qëllim të hidhnin në erë Uzinën.

Ashtu mendon akoma, e pyeta

Lërë, më tha, c’më gjeti

Cfarë të gjeti, e pyeta

Erdhi policia, tha

C’punë kishte policia me ty, e pyeta

Më thanë hajde dëshmo që rusët donin të hidhnin në erë Uzinën

Po ti cfarë u the, thashë unë

Unë nuk shkova, tha burri

Pse nuk shkove, e pyeta, ata donin një dëshmi

Unë jam pronari i Uzinës, tha burri,të më japin Uzinën pastaj do dëshmoj

Spo kuptoj, thashë unë

Uzina është ndërtuar në 11 hektarë tokë që kanë qenë pronë e familjes sime, tha burri

Është pronë publike, thashë unë, nuk ta kthejnë dot po kjo nuk ka lidhje me rusët

Aty nuk ka asgjë, tha burri, unë kam punuar vetë aty, kam demontuar fishekë

Kur ke punuar?

Deri në 2013, pastaj më hoqën nga puna

Po tani ka barut dhe fishekë, e pyeta

Nuk e di po kur ne ikën nuk lamë gjë, ato u shitën të gjitha

Pra ti thua që nëse rusët do ta kishin hedhur në erë Uzinën ti mund të merrje tokën mbrapsht, e pyeta

Nuk e di,tha burri, këtë e the ti

Unë piva një gotë ujë dhe ika.

Nëse rusët do kishin pirë një gotë ujë siç bëra unë, ndoshta do kishin kuptuar më shumë nga Çekini dhe Uzina e Armëve në Gramsh, por ata nuk patën kohë të uleshin në lokalin e fshatit dhe shkuan drejt e tek dera e Uzinës, aty ku një ushtar, kur më pa, u fut brenda një dhome dhe mori dikë në telefon.

Atëherë, nga thellësia e Uzinës, erdhi një ushtarak me uniformë blu, që duhet të jetë antar i policisë ushtarake dhe më tha se hyrja në Uzinë është e ndaluar. Pasi u pëprpoqa ta bind se unë jam shqiptar, se i kuptoj rregullat dhe nuk kam qëllim të nxjerr asnjë sekret, sepse në jetën time kam patur mundësi të njihem me shumë sekrete të tjera, jo vetëm shtetërore, sërish nuk arrita ta bind dhe ika nga Çekini.

Përpara se të largohesha pashë Lilin, një burrë që fliste avash dhe mbante mbi kurriz një thes të madh me degë të thara.

Ndalova dhe e binda që të ecte tre katër herë para dhe mbrapa, në mënyrë që kur të forografoja të kisha pamjen e duhur të Uzinës në sfond. Lili u bind dhe nuk më kërkoi asgjë që mund të klasifikohet si bakshish, por si një shërbim me shpërblim, një ecje e shpeshtë para mbrapa, në favor të një fotografi që nuk dihet se çfarë bën me fotografitë e veta,por sidoqoftë kjo është punë e tij.

Pasi mbarova me Lilin dhe fotografova kokën e një gomari të lidhur, që në objektivin e aparatit tim, binte fiks mbi Uzinën dhe dukej sikur po kulloste barishtet që kishin mbirë mbi gërmadhat, dola nga Çekini.

Rrugës,mbi timon, u përkula mbi dyshimet e mia, sic besoj i ndodh cdo hetuesi që ka disa pista të cilat cojnë në drejtime të ndryshme.

Po sikur ata të jenë vërtet spiunë?

Po sikur Putini të ketë një plan?

Po sikur edhe unë të jem duke i shërbyer, pa dashje, këtij plani?

Po sikur, c’ka kam shkruar më lart, me shumë lehtësi, ta lexojnë hetuesit të cilët mund ti klasifikojnë spiunët si turistë dhe kësisoj ti falin, apo më keq akoma të ndikuar nga unë, të dënojnë disa turistë, si spiunë kur ata në të vërtetë janë vetëm turistë?

Po sikur avokatët e rusëve të përdorin shkrimin tim në mbrojtje të rusëve?

Atëherë mu kujtuan vargjet satanike të komunizmit dhe duke u dëfryer mbi timonin e makinës sime u bëra këtë ndryshim:

Nga lufta vimë, në luftë shkojmë, që jemi Ne, armiku ynë, sa shpesh e harrojmë.

Më shumë




spot_img








spot_img