Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha sot se i takon opozitës të propozojë kandidaturat për presidentin e ri.
Alibeaj tha se propozimet e tij ia ka përcjellë grupit parlamentar dhe maxhorancës, nga të cilët pret tashmë të kenë qëndrimin e tyre.
Alibeaj tha se nuk mund të “vrapohet” pas kandidaturës pa patur disa kritere. Një prej këtyre kritereve që duhet të përmbushë presidenti i ri, sipas Alibeajt, duhet të jetë anti-komunist. Me këtë ai nënkuptoi se s’duhet të ketë qenë bashkëpunëtor i sigurimit apo pjesë e organeve drejtuese të komunizmit.
“Kemi rënë dakord që jo vetëm të marrim pjesë në proces, por në një proces real, ashtu sikurse figura e presidentit e do, të jetë neutral, t’i qëndrojë sfidave që mund të ketë në të ardhmen, dhe ne kemi ofruar një proces të sinqertë, bazuar në kritere, procedurë, që është garancia e parë në një produkt që është presidenti, qytetari i parë. Ia kam përcjellë qëndrimin zyrtar PD-së, maxhorancës dhe grupeve të tjera parlamentare. Maxhoranca nuk ka legjitimitet për ta zgjedhur e vetme. E drejta për të propozuar i takon opozitës.
Duhet të jetë një president që të gjenerohet në sy të publikut. Duhet së pari një president anti-komunist. Nuk duhet të ketë qenë bashkëpunëtor, informator, anëtar i byrosë, prokuror, gjyqtar në dosje politike. Dëshmitë për çrrënjosjen e komunizmit përbëjnë avantazh. Ne këtë qëndrim tonin ua ofrojmë grupeve të tjera parlamentare. Pres nga përfaqësuesit e maxhorancës, të kenë qëndrimin e tyre. Në bazë të qëndrimit tonë politik presim reagimin e tyre”, u shpreh Alibeaj.