
Kryeministri Edi Rama ka folur mbrëmjen e sotme lidhur me aksionin opozitar përmes të cilit deptetët e Partisë Demokratike dëshirojnë që të pengojnë vazhdimësinë e punimeve të Kuvendit normalisht. Lidhur me kërkesën e opozitës për praninimin e kërkesave të tyre për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, kryeministri u shpreh se është një listë kriteresh e cila duhet plotësuar për lejimin e ngritjes së tyre.
“Kjo nuk është çështje impresionesh të para por kornize kushtetuese dhe ligjore sepse sigurisht Kushtetua i jep të drejtën një grupi deputetësh, të cilët kanë një numër të kufizuar brenda parlamentit, pra edhe opozitës që të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Por ngritja e tij nuk është një veprim automatik por një vendim që merret mbi bazën e kritereve kushtetuese dhe ligjore. Sa kohë nuk plotësohen këto kritere këto komisione nuk do të ngrihen”, tha Rama në emisionin “Debat”.
Sakaq, ai në studio u pyet lidhur me zgjidhjen që kreu i qeverisë ofron për rikthimin në normalitet të jetës parlamentare në vend. Rama u shpreh kateogrisht kundër dhunës dhe nënvizoi se nuk mund të ketë një zgjidhje në kushtet kur “një lukuni luanësh", sipas tij synojnë "të rrëzojnë regjimin”. Kryeministri theksoi se deputetët e opozitës po ndjekin skenar destruktive për të shkaktuar konflikt dhe kaos.
“Nuk kam. Nuk mund të zgjidhesh dot një situatë që në mënyrë të qëllimshme bëhet nyje sepse janë agjenda totalisht të ndryshme. Jo se janë qëndrime për borxhin, apo qasje për punësimin, apo opinione për rrogat. Njëra është një agjendë normale pune parlamentare dhe qeverisëse. Tjetra është agjendë destruktive për të krijuar sa më shumë kaos dhe konflikt, me shpresën se do të zgjojë lepurin në zemrat e luanëve, ose luanin në zemrat e lepujve. Një shprehje që thuhet se është qëllimi final i gjithë kësaj.
Do vritet lepuri dhe do zgjohet luani në zemrat e gjithë shqiptarëve dhe pastaj një lukuni e madhe luanësh do të rrëzojë regjimin. Në këtë rast nuk ke çfarë zgjidh fare. Në rast se këtu këta djem që janë mbrapa kamerave papritur na sulen ne. Çfarë bëjmë ne të tre? Ne i mbajmë këta që të mos ju hanë juve. Në çdo rast kundërveprimi ndaj tyre me dhunë do të ishte katastrofë”, tha Rama.