Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se Serbia nuk është në konflikt me askënd, por nuk mund të lejojë që dikush të spiunojë ushtrinë e saj.
Duke komentuar rrëzimin e një droni pranë ndërtesave ushtarake afër Rashkës në jug të Serbisë, Vuçiç tha se kjo nuk është hera e parë që dronë pa pilot janë hasur mbi ndërtesa ushtarake të forcave të armatosura serbe dhe se kjo përbën “një lloj agresioni”.
“I kemi detektuar ditë më parë dhe ne i paralajmëruam ata. Ky lloj vëzhgimi dhe puna e paligjshme e inteligjencës përbën një lloj agresioni kundër një shteti sovran”, tha Vuçiç gjatë vizitës në një qendrën stërvitore ushtarake ku po zhvillohen stërvitjet “Manovrat 2022”.
Presidenti serb bëri me dije se “po punohet” për të përcaktuar se kush e ka operuar dronin komercial që ushtria serbe tha se e rrëzoi më 2 nëntor afër garnizonit të ushtrisë serbe në Rashkë.
“Ata përdorën dron komercial duke menduar se nuk mund të zbulohet se kush është pronari i tij dhe kush qëndron pas këtyre veprimeve të paligjshme”, tha ai.
Sa i përket këtij incidenti, Vuçiç theksoi se po ashtu se “aktiviteti i përbashkët kundër Serbisë është menjëherë i dukshëm”.
“Nuk do ta quaja armiqësor sepse ka konotacion tjetër në shtet dhe rajon. Ne nuk jemi në konflikt me askënd, por a do të dëshironit që dikush të spiunojë ushtrinë tonë, të hyjë në çdo hangar në territorin e Serbisë qendrore dhe të numërojë çdo plumb dhe granatë që kemi”, nënvizoi presidenti.