“Pas ofertës së Ukrainës për t’u anëtarësuar në BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të marrin dritën jeshile në qershor”. Kështu shkruan Euractiv, media pranë Bashkimit Europian, e cila thotë se Ukraina nuk mund të pranohet në BE nëse Shqipëria dhe Maqedoia e Veriut nuk ecin përpara me bisedimet për anëtarësim.
Kjo media citon edhe deklaratën e kryeministrit Rama, se Shqipëria mund të kërkojë shkëputjen nga Maqedonia e Veriut dhe të shtyjë për anëtarësim të vetëm në BE. “Shqipëria nuk mund të presë më që dy fqinjët të zgjidhin zënkën e tyre. Kursi ynë në atë drejtim do të ndryshojë plotësisht”, tha Rama disa ditë më parë.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë bashkë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por vetoja e Bullgarisë për fqinjët tanë ka ngadalësuar procesin e anëtarësimit dhe nuk i ka dhënë mundësi dy vendeve të marrin pjesë në Konferencën e Parë Ndërqeveritare.