Hervin Çuli, drejtor i Teatrit Kombëtar, përmes një statusi në rrjetin social, i është përgjigjur akuzave për korrupsion të ish- kryeministrit Berisha.
“Të nderuar miq! Mbrëmë në darkë në emisionin “Studio e Hapur” ish kryeministri Sali Berisha ka përmendur emrin tim si të korruptuar (o zot i madh më në fund e kuptova që qenkam), sepse po luaj një rol në shfaqjen “Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit” në Teatrin Kombëtar, e kështu për rrjedhojë po ndaj para me regjisorin Arben Kumbaro, vëllain e Ministres së Kulturës”- ka ironizuar drejtori Çuli.
Çuli u kujdes të sqaronte opinionin publikun për atë çfarë ndodh me projektet në Teatrin Kombëtar.
“Në Teatrin Kombëtar nga 6 projekte të gjashtë regjisorëve të ndryshem, ka një projekt dhe një nga regjisorët me të mirë shqiptarë, që quhet Arben Kumbaro. Djalli ta marrë, meqë Arbeni është vëllai i ministres, sipas Saliut, edhe pse është një regjisor i shkëlqyer nuk duhet ta ushtrojë më profesionin”- shkruan më tej Hervin Çuli.
Çuli e përmbylli komentin e tij me pendesën se dikur i kishte besuar “shtrigës te historia me Borëbardhën.”