Hapësire reklamuese

Aktualitet

Drejtoresha e shkollës lë mësimin dhe shkon në punën e dytë, ja çfarë pune tjetër bën

Shkruar nga Newsbomb

Emisioni investigativ “Fiks Fare” pasqyroi mbrëmjen e sotme se si një drejtoreshë shkolle gjatë orarit të punës shkon dhe punon si avokate në gjykatë.

Gazetarët e “Fiksit”, menjëherë pasi morën sinjalizim për këtë fakt, iu drejtuan Gjykatës së Apelit në Tiranë në 17 janar 2018. Në sallën e pritjes, drejtoresha Flora Myrto, e shoqëruar nga bashkëshorti, ishin të pranishëm në sallën e pritjes në gjykatë. Nga qendra e zërit dëgjohet të thërritet emri i saj për t’u paraqitur në sallën e gjyqit. Gazetarët e “Fiksit” mësuan se ajo ishte aty për një proces gjyqësor si avokate mbrojtëse e një qytetari nga Fushë-Mamurrasi, i cili ishte i akuzuar për abuzime gjatë procesit zgjedhor.

Për ta vërtetuar më mirë, gazetarët e “Fiks Fare” iu drejtuan edhe në shkollën ku ajo drejton dhe jep mësim. Herën e parë ata e gjetën shkollën e mbyllur, edhe pse kishin shkuar rreth orës 12:00, duke qenë në dijeni se shkolla bën mësim me dy turne. Por, në shkollë nuk ka asnjë njeri. Herën e dytë ata takojnë një mësues, por gjurmë të drejtoreshës nuk ka as edhe kësaj here. Në bisedë me mësuesin, ai u tregon se drejtoresha punon edhe si avokate. “Nuk bën shumë procese gjyqësore, bën vetëm për të afërmit e vet”, pohon mësuesi.

Disa ditë më pas drejtoresha, pasi u kontaktua nga “Fiks Fare”, pranoi të flasë përpara kamerës. Ajo e pranoi se e ushtronte profesionin e avokates, por pohoi se e bënte këtë në mënyrë sporadike. “Po unë në mënyrë sporadike e kam ushtruar profesionin e avokates ose le të them më mirë konsulente ligjore. E kam bërë vetëm për njerëzit e mi. Tani unë do t’i ndihmojë njerëzit e mi, por sporadikisht”, u shpreh Flora Myrto.

Në këto rrethana, gazetarët iu drejtuan Drejtorisë Arsimore Kurbin. Drejtoresha Majlinda Cara tha për “Fiks Fare” se institucioni që ajo drejton nuk është në dijeni të kësaj situate. “Nëse drejtoresha e shkollës 9-vjeçare Shpërdhet punon si avokate në orar të punës, ajo shkel ligjin pa diskutim. Nëse ju na mundësoni edhe pamjet filmike, edhe ne do të marrim masë”, përfundon drejtoresha e DAR-it Kurbin, Majlinda Cara.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu