Në fundin e një korriku ku nuk po ndodhte ndonjë gjë e madhe, kur sesioni parlamentar ishte mbyllur dhe kur supozohej që një paqe politiko-mediatike po nderej mbi shpirtrat e lodhur të këtij trualli, një shkresë e beftë nga Autoriteti i Dosjeve, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ndryshoi gjithçka.
Një ditë pasi la postin më të lartë që njeh Kushtetuta e vendit, atë të Presidentit, Ilir Meta u shpall bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. “Kemi zbuluar se Ilir Meta është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit”, thotë pak a shumë letra drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.
Këtë e bëjnë të ditur për revistën Newsbomb.al, persona që e kanë parë dokumentin. Autoriteti i Dosjeve, kërkon më tej ndryshim ligjor, për të bërë të mundur zbardhjen dhe transparencën. Pasiqë, një nen i ligjit i ndalon publikimet apo hulumtimet për rastet kur komisionet e mëparshme, si Mezini apo Bezhani, janë shprehur.
Autoriteti kishte hedhur sakaq një sy tek dosja përvëluese, dhe e komunikon zbulimin, por nga ana tjetër, hiqet sikur e mban ende sekret. Mirëpo, për ta bërë publike të gjithën këtë, kujdeset shefja e Parlamentit, e cila shprehet se është shumë e shqetësuar nga ky informacion që ka marrë. I gjithë mekanizmi ishte vënë në lëvizje nga një email anonim, që përpos Autoritetit të Dosjeve, i qe adresuar me gjasë edhe partnerëve në Tiranë.
Ky ishte zjarri i parë në Shqipërinë piroteknike, që nxjerr flakë e tym ngado në ditët e gjata me 40 gradë. Siç edhe pritej, përgjigja e Ilir Metës nuk ishte më pak shpërthyese. Tanimë si kryetar i PL, partisë së dytë më të madhe në opozitë, ai akuzoi menjëherë Edi Ramën si përgjegjës të kësaj loje të pisët siç e cilësoi, të këtij manipulimi në shkelje të ligjit e Kushtetutës.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në Revistën Newsbomb, të cilën e gjeni në çdo pikë shitje në gjithë vendin…