Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Edvin Kulluri ka bërë një postim në rrjtet sociale në lidhje me dosjen “Mc Gonigal”. Ai thotë se Edi Rama është manipuluesi dhe falsifikatori kryesor i sulmeve dhe shpifjeve ndaj kryetarit të PD, Lulzim Basha.
“Për publikun, tashmë është e qartë se prej vitit 2017, Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt kanë vënë në zbatim planin e shpifjeve për financimet ruse të PD, duke financuar dhe u ndihmuar në këtë përpjekje të ulët nga ish drejtuesi i lartë i FBI, Mc Gonigal”, shkruan Kulluri.
Ndër të tjera ai shkruan se edhe financimet ruse të supozuara ndaj PD-së, janë një lojë e kurdisur nga Edi Rama dhe shërbëtorët e tij.
Postimi i plotë:
Të nderuar demokratë dhe qytetarë! Duke ju referuar detajeve të publikuara nga dosja hetimore ,“Mc Gonigal”, prej medias prestigjioze Zëri i Amerikës, del në pah roli i Edi Ramës si manipulues dhe falsifikator kryesor i sulmeve dhe shpifjeve kundër kryetarit të PD, Lulzim Basha.
Për publikun, tashmë është e qartë se prej vitit 2017, Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt kanë vënë në zbatim planin e shpifjeve për financimet ruse të PD, duke financuar dhe u ndihmuar në këtë përpjekje të ulët nga ish drejtuesi i lartë i FBI, Mc Gonigal.
Në 2 vitet e fundit, Ramës i është bashkuar jo rastësisht edhe “revolucionari” Sali Berisha. Tashmë kjo është shndërruar në rrugë të zakonshme nëpër të cilën ata të dy kanë ecur krah për krah njëri-tjetrit. Një rrugëtim që ka nisur që në vitin 2008 me marrëveshjen e tyre të errët që shkelmoi ekulibrin mes pushtetit parlamentar dhe atij ekzekutiv.
Financimet e supozuara ruse, siç e dëshmon çdo ditë e më qartë drejtësia amerikane, janë një lojë e kurdisur nga Edi Rama dhe shërbëtorët e tij. Kush i shkon nga pas kësaj loje, nuk është asgjë më tepër se zgjatim i pushtetit të Ramës, që në një formë ose tjetër, nuk harron ti shpërblejë të gjithë ata që i bashkohen në aksionin e tij kundër një PD moderne, të pakorruptuar dhe aleate të partnerëve strategjikë.