E ftuar në emisionin “360 gradë” në Oranews, gazetarja Anila Basha ka pyetur ish-oficerin e policisë Dritan Zagani për punën që ai kishte bërë gjatë kohës kur kishte punuar në Vlorë.
Gazetarja Basha e pyeti Zaganin nëse ai gjatë hetimit të tij për vëllezërit Habilaj ka përpiluar ndonjë shkresë zyrtare. Kësaj pyetje Zagani nuk iu përgjigj, por vendosi që të sulmonte gazetaren Basha duke thënë se “këtë gjë nuk ua them ju, por prokurorit”. Më tej ai iu shmang sërish kësaj pyetje duke i thënë drejtuesit të emisionit, “Ma përsërit pyetjen, se ajo grua i bëri lëmsh 20 burra”.
Por kjo përgjigje e Dritan Zaganit stonon me veprimet dhe qëndrimet e tij deri më tani. Ai më herët nuk ka nguruar të hedhë akuza dhe të nxjerrë detaje të veprimtarisë së tij gjatë kohës kur ka qenë efektiv i Policisë së Shtetit.
Më këtë përgjigje Zagani la shumë vend për të kuptuar se me shumë mundësi ai nuk ka bërë asnjë dokumentim në rrugë zyrtare për hetimet që ai thotë se ka zhvilluar për vëllezërit Habilaj.