
Sot do të mbahet seanca e radhës për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu lidhur me çështjen e Gërdecit.
Në listën e personave që priten të dëshmojnë sot është ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha, por nuk dihet nëse do paraqitet në gjykatë. Hoxha në një bisedë që ka pasur me ambasadorin amerikan në Tiranë asokohe i ka zbuluar këtij të fundit se të gjitha urdhrat për procesin i ka dhënë Fatmir Mediu i cili sipas tij ka ndjekur çdo gjë me detaje.
Ndërsa më 24 janar, seanca nisi me dëshminë e ish-zyrtarit të ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani. Në lidhje me faksin me emrin “Shkëlzen Berisha” Madani u shpreh se “i ka shkuar atij por ia ka adresuar Drejtorisë Juridike pasi nuk ishte në adresë të tij.
Më tej ia tha në seancë se nuk është në dijeni se kush e përcaktoi vendimin e demontimit, ndërsa pohoi se “Gërdeci u përballua nga privati, asnjëherë nuk pati influencë nga Ministri i Mbrojtjes”.
Në seancë ka dëshmuar edhe Zenun Ferro. Në një prononcim për median jashtë seancës Mediu ftoi të gjithë të dëshmojnë për të thënë të vërtetën.
“Nuk e di nëse do dëshmojë Luan Hoxha, shpresoj që të gjithë të vijnë të dëshmojnë dhe të flasin. Në inertes të zbardhjes së vërtetës të mbajë qëndrimin e vetë siç e mendon dhe si ka vepruar”, u shpreh Mediu.
Mediu akuzohet për dy akuza të lidhura me “Shpërdorimin e detyrës” kryer në bashkëpunim.
Vepra e parë penale për të cilën ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet, është ajo “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.
Kujtojmë që shpërthimi në Gërdec ndodhi më 15 mars (e shtunë) 2008, rreth orës 12:05 dhe nga shpërthimi humbën jetën të paktën 26 persona. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, dha dorëheqjen pak ditë mbas tragjedisë.
Ai nuk pranoi se kishte përgjegjësi për shpërthimin ose ndonjë lidhje korruptive në tregtinë e armëve dhe u shpreh se dorëheqja nga posti ministror ishte një “…përgjegjësi morale.”