Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu është paraqitur ditën e sotme në prokurorinë e Posaçme, ku është marrë në pyetje për 2 orë e 15 min.
Bëhet me dije se Manastirliu është thirrur në SPAK si person që ka dijeni mbi çështjen e dosjes së sterilizimit, në kohën kur ka qenë drejtores e Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT).
Kujtojmë që pak ditë më parë GJKKO i dha kohë SPAK vetëm 45 ditë për të mbyllur hetimet për dosjen e “Sterilizimit”.
Në Gusht të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme arrestoi ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim, lidhur me koncesionin e sterilizimit afro 100 milionë euro 8 vjet më parë.
Si i dyshuar për mashtrim u arrestua dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili fitoi koncensionin në dhjetorin e 2015, me gjithë dyshimet e menjëhershme për korrupsion dhe mosplotësim të kritereve ligjore.
Kallëzimi penal është bërë në Dhjetor 2019 nga Nisma Thurje dhe SPAK thotë se më 13 Janar 2020 ka regjistruar procedim penal për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”.
Ministria e Shëndetësisë lidhi më 10 dhjetor 2015 një kontratë koncesionare për 100 milionë dollarë me kompaninë “Sani Service” L51910021C “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”.
Konkurrentë të tjerë në garë kundërshtuan procesin, duke u shprehur se oferta e konsorciumit fitues kishte qenë përtej fondit limit, shkruan newsbomb.al.
Drejtuesi i kompanisë fituese të themeluar në Prishtinë është Ilir Rrapaj, i cili ka drejtuar një firmë të vogël ndërtimesh në Umbria të Italisë. Ai është pjesë e konsorciumit, që përfshin “Investal LLC”, “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”. “Investal LLC”.
Kontrata ishte planifikuar të zgjaste për një periudhë 10-vjeçare dhe me një vlerë fillestare të parashikuar prej 9.6 miliardë lekësh.
Ndërkohë në 2018 shpenzimet për shërbimet e sterilizimit të personalizuar të pajisjeve kirurgjikale të kryera nga partneriteti publik-privat, ishin 2 miliardë lekë, ose thënë ndryshe 28.3 për qind më shumë se plani prej 1 miliard e 560 milionë lekësh, që ishte planifikuar në buxhetin e vitit 2018.
Pas kësaj Ministria e Shëndetësisë ngriti një grup pune, në datë 25 shkurt 2019 me mjekë specialistë për rishikimin e seteve kirurgjikale. Kjo u bë me qëllim për të ulur numrin e mjeteve kirurgjikale në çdo set dhe në këtë mënyrë ulej edhe kostoja financiare.
Mjeku urolog, Artan Koni, i cili ishte personi i parë që denoncoi çështjen e “Sterilizimit” dhe u pyet nga prokurorët e SPAK, ndërsa tha se deklaratat e tij kishin për qëllim të ndihmonin prokurorët për të kuptuar mënyrën e llogarive dhe kostot financiare në këtë sektor.
Kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një prej 4 projekteve të Partneritetit Publik-Privat me mbështetje buxhetore në sektorin e shëndetësisë, me zanafillë te programi i qeverisjes së kryeministrit Edi Rama pas ngjitjes së tij në në pushtet në vitin 2013.
Kjo kontratë u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.
Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj.