Deputetët socialistë kanë depozituar një kërkesë në Kuvend dhe kërkojnë ndryshime ligjore, pas rastit të fundit që Autoriteti i Dosjeve dërgoi në Kuvend dhe informoi se ish-presidenti Ilir Meta rezulton se ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.
Ata kërkojnë ndryshimin e ligjit aktual, në mënyrë që të gjithë politikanët dhe subjektet që kanë certifikatë nga komisionet e mëparshme për pastërtinë e figurës, të kalojnë përsëri në filtër. Këtë kërkonte dhe vetë Autoriteti i Dosjeve, pasi nuk mund të bënte verifikimin e Metës në kushtet kur ai kishte një certifikatë të mëparshme.
“Dy nismat tona ligjore konsistojnë në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një çertifikatë të mëparshme pastërtie nën dritën e fakteve dhe të vërtetës si dhe për verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre”, tha deputetja Klotilda Bushka.
Pjesë nga deklarata e deputetes socialiste Klotilda Bushka
Nisur nga shkresa e Autoritetit për Informim mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) drejtuar Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë më date 26.07.2022 lidhur me shqetësimet mbi pastërtinë e figurës së personave të zgjedhur apo të emëruar, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë ka vendosur të depozitojë sot pranë Kuvendit nismat ligjore për ndryshime të Ligjit funksional nr 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialistë të Shqipërisë” të ndryshuar si dhe të Ligjit nr. 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar.
Rastet flagrante dhe shqetësuese të pasqyruara në shkresën informuese të Autoritetit drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku figura të rëndësishme të shtetit të pajisur me Çertifikatën e pastërtisë së figurës në fakt rezultojnë në dokumentat e krijuara të ish-Sigurimit të Shtetit, kërkojnë një adresim dhe reagim të menjëhershëm.
Transparencë e plotë për këto raste duhet të kryhet dhe pengesat apo boshllëqet në legjislacionin ekzistues duhet të adresohen me qëllim zbardhjen e të vërtetës sipas vlerave demokratike të drejtësisë si përgjegjësi për brezat e ardhshëm por mbi të gjitha detyrim për ata që vuajtën nën regjimin e kaluar.
Dy nismat tona ligjore konsistojnë në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një çertifikatë të mëparshme pastërtie nën dritën e fakteve dhe të vërtetës si dhe për verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre.