Hapësire reklamuese

OpEd

Dorëheqja e Lulit, fitorja e vetme dhe më e madhja e tij!

Shkruar nga Newsbomb
Dorëheqja e Lulit, fitorja e vetme dhe më e madhja e tij!

Nga: Kim Mehmeti

Mjerimi politik të cilin e jeton Shqipëria, më së miri e dëshmon vërtetësinë e thënies së njohur se për të këqijat që i ndodhin një shoqërie, nuk janë fajtorë njerëzit e këqij, por të mirët që nuk e luftojnë të keqen. Andaj edhe ka ardhur koha kur nuk duhet të merremi vetëm me ata që e mbollën farën e bimës së keqe, por me të tjerët që duhej të ishin rojtarë të së mirës shqiptare.

Sidoqoftë, nuk ka dyshim se në Shqipëri është instaluar një regjim i cili nuk të vret por të ‘mbyt’ në vorbullën e spektaklit politik, që nuk të burgos, por të mundëson lirshëm ta jetosh varfërinë tënde, që nuk ta ndalon shkollimin, por të lë të papunë nëse nuk i shërben ‘Rilindjes’..., regjim që të mbanë mbyllur në kafazin e pamundësisë të bësh çka do qoftë kundër Piktorit, kundër njeriut që i kontrollon të gjitha.

Dhe në një vend të sunduar nga një regjim i tillë, më së miri shihet sa e pakuptimtë është politika pa ideale, siç shihet edhe pakuptimësia e politikëbërjes që ideal të vetëm ka xhepat e drejtuesve partiak. 

Po pra, në një vend të sunduar nga një regjim që çdo gjë e ka shndërruar në spektakël, ndodh që dorëheqja e kryetarit të partisë më të madhe opozitare – të PD’së, të ketë dimensionin e fitores së vetme dhe më të madhe të tij. Siç ndodh që të shkosh nga humbja në humbje, e të kesh ndjenjën se bëhesh gjithnjë e më i fortë dhe më i dobishëm për popullin dhe vendin tënd!

Kur jemi te opozitarizmi i Shqipërisë, sipas autorit të këtij teksti, ai thuajse nuk ekziston, apo se nga dita në ditë, ai sa vjen e dobësohet. Dhe se meritorë për asgjësimin e këtij opozitarizmi, është edhe ‘Foltorja’, e cila ia zgjidhi problemin Doktorit, por jo edhe PD-së.  ‘Foltorja’ pas së cilës janë rreshtuar të gjithë baltëngjeshësit politik të tridhjetë viteve të fundit, por jo edhe muratorët e rinj, të cilët ,mbi ‘Berishizmin’  që i takon të shkuarës, do mund të muronin shpresën e ardhme rinore. 

Sidoqoftë, gabojnë ata që duan të bëhen opozitarë, por pa e kuptuar më elementaren në politikë: se edhe veprimi yt më i pakuptimtë, merr kuptim, nëse ke lënë pas vetes ndonjë vepër të madhe. Gjë të cilën më së miri e dëshmon Doktori, nga i cili vetëm budallenjtë mund të kërkojnë atë që nuk ta ofron askush në politikë: që ai të largohet, e që mbi famën e tij politikisht të mbijetojnë të tjerët.

Shqipëria pra mund të përshkruhet si vend ku të këqijtë veprojnë lirshëm, e të mirëve u mjafton mirëqenia vetjake. Vend që nuk ka si mos përfundojë në duart e regjimit të drejtuar nga Piktori, të drejtuar nga njeriu që e simbolizon ‘Linda Morizimin’ e politikës, nga njeriu që personifikon rrënimin e institucioneve shtetërore, që vret e pret, që dënon e shpërblen..., që e përfaqëson plehun, të cilin gjatë tri dekadave të fundit e prodhoi politika shqiptare .

Sondazh

Poll