Tirana
clear sky
24.5 ° C
24.5 °
24.5 °
41 %
6.7kmh
0 %
Mar
22 °
Mër
27 °
Enj
27 °
Pre
28 °
Sht
29 °
E martë, 15 Qershor, 2021
spot_imgspot_img

Dom Gjergj Meta dedikim të ndjerë për 33 vjeçarin: Sa qesharakë dukemi përballë Arjanit! Diçka e pastër qelibar nga kjo tragjedi, mbetet gjesti i tij që na shkundi….

spot_img
spot_img

Lajme të ngjashëm

Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta ka dedikuar një shkrim për të ndjerin Arjan Sala, trupi i pajetë i të cilit u gjet sot në magazinën e qendrës tregtare “Casa Italia”.

Ai shprehet se të shumta ishin reagimet e ngushëllimet për humbjen e 33 vjeçarit, por diçka që mbetet e pastër qelibar në  këtë tragjedi, është  gjesti i tij për të shpëtuar kolegët e duke sakrifikuar veten deri në vdekje.

Në postimin e tij Dom Gjergj Meta ironizon edhe shprehjen e përdorur nga politikanët “më të mirë se ne nuk ka”, e cila na vret veshin duke e dëgjuar çdo ditë në ekranet e ndryshme televizive.

Më tej ai shkruan: “Sa qesharak të duket vetja përballë Arjanit, sa qesharake na duket ajo ndjenjë madhështie, herë e fshehur e herë e thënë me zë të lartë “më të mirë se ne nuk ka”. E ja pra që paska”.

Postimi i plotë i Dom Gjergj Metës:

ARJAN SALA NA TREGOI SE PASKA EDHE MË TË MIRË…

Të zhytur në problemet e mëdha të tranzicionit, në kakofoninë e politikës së përditshme që e thithim pandërprerë si ajrin e ndotur, të retorikës dhe propagandës boshe rreth arritjeve apo premtimeve të mëdha, të kësaj flame që po merr jetë e na ka bllokuar jetën, papritur, këtë rutinë tonën anestizuese, e ndërpret Arjan Sala.

Djaloshi me shikim të qetë, roja i sigurisë, i cili ka humbur jetën në një qendër tregtare, duke u munduar të fikë zjarrin për të shpëtuar ata që punonin aty, u bë menjëherë heroi ynë. Sa të nevojshme e paskemi pasur sakrificën e këtij njeriu për t’u zgjuar, por paradoksalisht edhe për të shpresuar. Arjani, falë Zotit ka një emër e një fytyrë, zuri ëall-et e rrjeteve sociale, kur ende nuk dihej fati i tij, si për t’i treguar botës se sa ngutshëm kemi nevojë për heronj, ndokush e vuri foto profili, dikush tjetër i thuri dy fjalë zemre. Ka diçka të pastër qelibar në këtë histori, diçka të pazhyer, të pa bërë pis, si një lloj qengji Pashkësh, i patëmetë. Arjani shpëtoi disa njerëz me gjestin e tij, por na shkundi edhe ne të tjerëve duke na thënë se ka ende njerëz në këtë vendin tonë.

Ne nuk e njihnim Arjanin, nuk e dinim se kush ishte. E ai do të vazhdonte të zgjohej herët, të shkonte në punë, të kthehej prej saj për te familja e fëmija i tij i vogël dhe ne nuk do të dinim gjë prej gjëje për të, nëse ai zjarr i mallkuar nuk do të binte apo sikur ato investime propagandistike për zjarrëfikëse të ishin efektive. Madje as njerëzit që punonin me të, të cilët ai edhe i shpëtoi, nuk e dinin se kishin aty një engjëll mbrojtës. Arjani dhe shumë të tjerë janë njerëz të këtillë, të pazhurmshëm, që nuk zënë asnjë hapësirë më shumë sesa hapësira e vet, që nuk zhvasin vëmendje çdo ditë duke e paguar atë vëmendje me para ose dinjitet.

Arjani zgjoi brenda nesh atë dëshirë të madhe që kemi të gjithë për t’iu gjendur pranë njëri-tjerit. Papritur, ai ngacmoi ato ndjenja të mira që të gjithë i kemi brenda nesh, të cilat ose i harrojmë, ose mpihen nga e përditshmja frenetike apo shpesh nga dembelia jonë.

Sa qesharak të duket vetja përballë Arjanit, sa qesharake na duket ajo ndjenjë madhështie, herë e fshehur e herë e thënë me zë të lartë “më të mirë se ne nuk ka”. E ja pra që paska!

Arjan, një Zot e di se ç’po ndjejnë njerëzit e tu! Nuk do doja ta provoja kurrë. Por nëse të ngushëllon apo i ngushëllon disi, ti u bëre heroi i çdo shqiptari të mirë që e do vendin e tij dhe njerëzit që ka afër!

Faleminderit Arjan!

* Magazina e qendrës tregtare “Casa Italia” shpërtheu në flakë 3 ditë më parë, ndërsa roja i sigurisë Arjan Sala u fut me një fikse zjarri dore për të shpëtuar kolegët, por fatkeqësisht mbeti vetë brenda, duke humbur jetën si pasojë e asfiksimit. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, trupi i të riut u gjet vetëm mëngjesin e sotëm, pasi  shuarjes së zjarrit.

Më shumë

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img
spot_img
spot_img
spot_img