Organizata izraelite Mjekët për të Drejta të Njeriut, përmes mbledhjes dhe analizës së dëshmive të ekipeve të shpëtimit, dëshmitarëve që mbijetuan, mjekëve dhe punonjësve që evakuuan trupat e viktimave, si dhe xhirimeve të shumta e komunikimeve në aplikacionet si Whatsapp dhe Telegram e fotografive nga vendi i ngjarjes, ngre alarmin për përdorimin e dhunës seksuale nga militantët e Hamasit gjatë sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit.
Drejtorja e Organizatës Hadas Ziv thotë se Hamasi përdori dhunën seksuale si armë lufte dhe se raporti i saj hedh dritë mbi faktin që nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, por për një praktikë të përhapur.
“Gjatë sulmit, dhuna seksuale u përdorën si armë lufte. Kjo është përshtypja ime dhe mendoj se qëllimi ishte të përhapte frikë jo vetëm tek viktimat, por edhe tek të të tjerët. Njoh shumë, shumë izraelitë, në veçanti gra, të cilat ndihen shumë të pasigurta. Andaj ndikimi i këtij lloj sulmi, që është i pari në historinë e konflikteve ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve, është shumë i madh,” thotë zonja Ziv.
Sipas zonjës Ziv, ndonëse është e vështirë të përcaktohet se se e shtrirë ishte kjo praktike, dhunimet ishte të përhapura gjatë sulmit dhe ndodhën në pika të ndryshme. Në shumicën e rasteve, objekt i dhunës seksuale ishin gratë, megjithëse sipas saj, kishte raste kur edhe burrat ishin vënë në shënjestër.
“Në fillim njerëzit menduan se ka ndodhur vetëm në festivalin e muzikës, por pastaj viktimat u gjetën me pjesët e poshtme të trupit të zhveshura, u gjetën trupa me eshtrat e legenit të thyera dhe me organe seksuale të deformuara. Gjoks të prerë, objekte në organe, e gjëra të ngjajshme. Nuk kemi ende shifra, por do të thoja se është e përhapur... Është detyrë e jona ta bëjmë të ditur dhe të bëjmë thirrje për një hetim më profesional ngase besojmë se viktimave do t’iu duhet kohë - nëse ato që kanë mbijetuar do të jenë në gjendje të flasin ndonjëherë (për përjetimet). Shumë prej tyre janë vrarë apo vazhdojnë të mbahen peng, nuk e dimë. Organizatat e grave nuk duhet të lihen vetëm. Duhet të mbështeten dhe të nxiten të punojnë,” tha zonja Ziv për Zërin e Amerikës.
Organet e rendit në Izrael publikuan këtë javë deklarata të dëshmitarëve me identitet të mbrojtur, që sipas autoriteteve, kanë qënë dëshmitarë okular, të rasteve të dhunës seksuale nga militantët e Hamasit, apo dëshmitarë që erdhën në vendin e ngjarjes pasi kishte ndodhur krimi. Dëshmi të ndryshme janë publikuar edhe nga mediat ndërkombëtare që po dokumentojnë përdorimin e dhunës seksuale nga Hamasit. Qeveria amerikane e ka shpallur Hamasin si organizatë terroriste në vitin 1997.
Këto dëshmi, të transmetuara nga agjencia e lajmeve Reuters, zbardhin detaje të dhunës së ushtruar ndaj grave, që përfshijnë prerje të gjinjve, të shtëna me armë në organet gjenitale dhe shenja tjera torturash.
“Ajo po qëndronte në këmbë dhe shihej gjaku që rridhte… Nuk e di se çfarë ndodhi me të. Ai po e tërhiqte nga flokët, i kishte flokët e gjata, ai po ia ngrinte lart,” thotë një dëshmitare në deklaratën dhënë policisë.
Zonja Ziv thotë se rrethanat e konfliktit e kanë bërë dokumentimin e këtij lloj krimi të vështirë, por qëllimi i organizatës është të publikojë këtë vlerësim fillestar për të tërhequr vëmendjen e institucioneve përkatëse që të hetojnë këtë dimension të dhunës dhe të përgatiten për të ndihmuar viktimat dhe dëshmitarët që janë përballur me këtë traumë.
“Në shumë raste trupat e viktimave janë evakuuar gjatë kohës së luftimeve. Dhe meqë ekipet e shpëtimit nuk ishin të përgatitura për abuzime seksuale, meqë deri tani nuk e kishim ndeshur këtë në konflikt, ata nuk ishin të pajisur me mjetet e duhura për të mbledhur dëshmi… Por po ashtu shumë prej viktimave dhe dëshmitarëve janë të traumatizuar dhe po shohim që vetëm tani po fillojnë të flasin. Lufta ende po vazhdon dhe shumë njerëz janë ende të preokupuar me trajtimin e të plagosurve dhe jo me mbledhjen e provave. Sistemi shëndetësor ishte i ngarkuar me shumë të plagosur, me shumë të vdekur, prandaj nuk e kishin përparësi mbledhjen e dëshmive. Dhe ndonëse njerëzit mendojnë se jemi shtet i zhvilluar dhe liberal, atmosfera këtu nuk është aq liberale. Nuk është lehtë për një viktimë përdhunimi të flasë. Trauma, turpi dhe fakti që ende ekziston stigma rreth tyre, krijojnë një situatë që mbase do të duhen vite që viktimat të flasin. Po ashtu mendoj se shumë nga viktimat tashmë kanë vdekur. Janë dhunuar dhe vrarë, abuzuar dhe vrarë, copëtuar dhe vrarë," thotë ajo.
"Për mua, njëra nga xhirimet më të vështira ishte ai i një gruaje të re, në kamion. Njerëzit e Hamasit e dërguan në Gazë, trupin e kishte gjysmë të zhveshur dhe njerëzit po e pështynin. E kishin dërguar si një trofe lufte, që po e dërgonin në Gazë. Për mua kjo ishte pamje e tmerrshme. Jo vetëm që e kishin viktimizuar, por e ekspozonin si trofe," shtoi zonja Ziv.
Sipas saj, krahas policisë, organizatat e shoqërisë civile dhe të grave janë angazhuar të mbledhin dëshmi dhe t’u ndihmojnë viktimave dhe se së fundi po shihet zbardhja e më shumë dëshmive për sulmin e 7 tetorit. /VOA