Hakerat iranianë që sulmuan shërbimet qeveritare dhe rrjetet e Policisë së Shtetit, publikuan pak ditë më parë dhe postën elektronike të kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo. Mes email-eve të shkëmbyera, ka dhe një nga organi i vettingut.
Katër vite më parë, në vitin 2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka shkruar letër kryeministrit Edi Rama dhe Helidon Bendos, në atë kohë zëvendës drejtor i SHISH.
Kryeministrit i kërkohet që t’u jepet akses në informacione sekrete, për të vërtetuar raportet e Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, pasi gjyqtarët po shkarkoheshin pa prova. Nga konteksti i letrës kuptohet e e njëjta gjë po ndodhet dhe me gjyqtarin e lartë Shkëlzen Selimi.
“A mundet Komisioni të veprojë në padijeni totale të informacionit, që ka shërbyer për përgatitjen e këtij raporti? A mundet komisioni t’i kalojë barrën e provës subjektit të rivlerësimit për një konkluzion, të cilin as ai vetë nuk ka mundur ta vlerësojë dhe të krijojë bindjen e brendshme mbi këtë çështje?”, thuhet në kërkesën e shefes së KPK, për rastin e Shkëlzen Selimit.
Sot, ky magjistrat është jashtë sistemit të drejtësisë, pas një raporti se kishte kontakte të papërshtatshme. Edhe në letrën drejtuar Ramës dhe zëvendës drejtorit të SHISH, organi i vettingut shprehte shqetësimin se për këto kontakte nuk kishte prova.
“Meqenëse Kushtetuta shprehet për kalimin e barrës së provës tek subjekti i rivlerësimit, është e domosdoshme që Komisioni të disponojë/ administrojë dokumentet që provojnë apo bindin atë për lidhje të mundshme të subjektit të rivlerësimit me kontakte të papërshtatshme. Komisioni duhet të krijojë bindjen e brendshme nëse është apo jo, subjekti i rivlerësimit, i përfshirë në veprime korruptive apo ka lidhje me kontakte të papërshtatshme”, shprehej Genta Tafa Bungo.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Shkelzen Selimi by Newsbomb Albania on Scribd