Një dokument i rrjedhur në media tregon se Dhoma Amerikane e Tregtisë e vendosur në Tiranë, ka refuzuar në vitin 2020 të anëtarësojë “Integrated Energy BV SPV", si pjesë të saj. Kompania e inceneratorëve kishte "qëndisur" dokumentet, por kërkesa nuk është pranuar.
Portali "CNA" ka publikuar këtë dokument që tregon se kompania e drejtuar nga Klodian Zoto nuk është pranuar nga Bordi Drejtues i Dhomës Amerikane të Tregtisë, për shkak se ishte nën hetim.
Referuar këtij dokumenti, bëhet me dije se përfaqësuesja e “Integrated Energy BV SPV", Arjola Kodra kishte përpiluar dokumentet dhe kërkonte të bëhej anëtare e AmCham Albania. Mirëpo, pasi është shqyrtuar gjithë dokumentacioni, kërkesa nuk është pranuar.
"Bashkëngjitur ju lutem gjeni dokumentacionin e përgatitur nga shoqëria "Integrated Energy BV SPV" sh.p.k, në lidhje me anëtarësimin e kësaj të fundit pranë Dhomës Amerikane të Tregtisë. Ju lutemi të na konfirmoni marrjen e “e-mail”-it tonë. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, Me respekt, Integrated Energy BV SPV" sh.p.k", thuhet në e-mail.
Një javë pas dorëzimit të dokumenteve në fjalë, administratorja e kompanisë së Klodian Zotos ka marrë përgjigjen negative. Arjola Kodrës i bëhet me dije se Bordi Drejtues i Dhomës Amerikane të Tregtisë nuk mund të anëtarësonte "Integrated Energy BV SPV" për shkak të akuzave mediatike dhe hetimeve të drejtësisë.
"E nderuar znj. Kodra, Në vijim të komunikimit tuaj me Drejtorin Ekzekutiv, z. Ilir Trimi, më lejoni t'ju informoj se Bordi Drejtues i Dhomës Amerikane nuk e ka miratuar aplikimin e kompanisë "Integrated Energy BV SPV" sh.p.k.
Subjekti i ofruar për anëtarësim, rezulton i përfshirë në një debat publik mbi kontratat koncensionare me Qeverinë Shqiptare, dhe për rrjedhojë edhe objekt i hetimeve nga autoritetet përkatëse", thuhet në përgjigjen e AmCham Albania.
[caption id="attachment_740965" align="alignnone" width="692"] Komunikimi elektronik mes Dhomes se Tregtise me kompanine e Zotos - © Credits CNA[/caption]