Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite pranë ambienteve të maternitetit të ri në Berat, i cili do të hapet javën tjetër, tha se në këtë maternitet do të garantohen shërbime me standard dhe kushte bashkëkohore afër vendbanimit për nënat dhe fëmijët, duke e quajtur këtë investim, një premtim të mbajtur nga qeveria shqiptare.
“Materniteti i ri i Beratit është një investim i plotë jo vetëm i infrastrukturës, një godinë e re që është tashmë me kushtet bashkëkohore për të ofruar një cilësi shërbimi maksimale. Nga ana tjetër e kemi pajisur me mobilimin spitalor, gjithashtu me pajisjet mjekësore të duhura, në mënyrë që puna që do të fillojë, të fillojë ashtu sikurse duhet, me standardet më të mira të ofrimit të shërbimit për nënat dhe fëmijët që do të vijnë në jetë në këtë maternitet. Është një premtim i bërë realitet. Një premtim i mbajtur për të ndërtuar një maternitet të ri në Berat dhe padyshim për të krijuar atë perspektivë që ne të gjithë duam për një shëndetësi më të mirë, e cila ofrohet dhe merret afër vendbanimit”, tha Manastirliu.
Gjithashtu ministrja tha se standard të tilla shërbimi po zgjerohen në të gjithë vendin.
“Ashtu sikurse përfunduam gati një vit më parë maternitetin e ri të Lezhës, tashmë përfundojmë maternitetin e ri të Beratit. Shumë shpejt maternitetin e ri të Kukësit brenda korpusit spitalor. E më pas edhe investimet e reja në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, në maternitetin “Koço Gliozheni”. Me këto ritme do të vijojmë të ecim deri sa të kemi përfunduar gjithë investimet në shëndetësi”, shtoi ajo.
Materniteti i ri i Beratit ka një kapacitet prej 50 shtretërish dhe është i pajisur me aparatura të teknologjisë së lartë, ku do të garantojë një standard të ri shërbimi në gjinekologji, obstetrikë dhe neonatologji për të gjitha gratë e këtij qarku.