Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku deklaroi gjatë Kongresit të Partisë Socialiste se mandatin e tretë do të ndërtohet linja hekurudhore Pogradec-Korçë-Greqi.
Ky projekt gjigand do të marrë formë pas përfundimit të linjës Tiranë-Rinas-Durrës. Balluku u shpreh se ky projekt bën pjesë në planin “Shqipëria 2030” për zhvillimin e vendit.
“Përveç linjës hekurudhore të shpejtësisë së lartë Tiranë, Rinas Durrës, do vi dhe linja e re Pogradec, Korçë Greqi e cila do bëjë shumë më të leverdisshme dhe të shpejtë lëvizjen e mallrave e pasagjerëve në drejtim të Greqisë, Bullgarisë, Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut përmes një nyje në zonën e Linit. Duke jetësuar kështu korridorin e tetë. Linja me Malin e Zi do bëhet duke rehabilituar hekurudhën, Vorë, Hani i Hotit”.
Nga ana tjetër, ministrja Evis Kushi ka zbuluar në Kongresin e PS se nga shtatori anglishtja fillon në të gjitha shkollat e Shqipërisë që në klasën e parë. Kushi thotë se është bërë një përgatitje e madhe më parë në arsim që të zbatohet kjo politikë ambicioze.
“Që prej këtij shtatori gjuha angleze fillon që në klasën e parë. Është bërë një punë e jashtëzakonshme për forcimin e kurrikulave, duke përgatitur plotësisht zbatimin e kësaj politike ambicioze. Mandati i tretë shënon fundin e shkollave me dy turne. Shkollat e reja do të jenë më të mirë, më të forta, më të sigurta. Do të vazhdojmë të investojmë tek rritja profesionale e mësuesve. Angazhohemi të vlerësojmë e rrisim dinjitetin tashmë të rikthyer të mësuesve. 40% do i rriten pagat brenda mandatit”, tha Kushi.