Tirana
broken clouds
16 ° C
16 °
16 °
82 %
1kmh
75 %
Sht
15 °
Die
20 °
Hën
24 °
Mar
24 °
Mër
18 °
E shtunë, 15 Maj, 2021
spot_img

Ditmir Bushati kapet keq me Ramën: Përpara se t’i quajmë shqiptarët thashethemexhinj dhe dembelë, a mban ndokush përgjegjësi për ekonominë?

spot_img

Lajme të ngjashëm

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka kritikuar deklaratën e fundit të kryeministrit Edi Rama nga Shkodra, i cili i tha pronarit të fasonerisë që kur të mësojnë shqip, t’i zëvendësojë punonjësit nga Bangladeshi që do të marrë, pasi bëhen dembelë dhe thashethemexhinj.

Me anë të një shënimi në facebook, Bushati thotë se përpara se të konstatojmë dembelizëm dhe fjalë të tepërta tek shqiptarët, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për strukturën e ekonomisë shqiptare.

Ai thotë se e njeh personalisht pronarin e fasonerisë, Gjovalin Shtjefni, teksa shton se nuk mund të vijë ndryshimi përmes zëvendësimit të shqiptarëve që ikin drejt perëndimit, me qytetarë nga Bangladeshi, India apo Afganistani.

Shënimi i plotë i Bushatit

Para se t’i përkufizojmë shqiptarët si ‘thashethemexhinj’ e ‘dembelë’, duhet të pyesim veten a mbajmë ndopak përgjegjësi për strukturën e ekonomisë shqiptare dhe modelin zhvillimor që ndjekim.

Gjovalinin, dhe shumë sipërmarrës si ai në sektorin e fasonerisë në Shkodër, kam pasur mundësi t’i takoj disa herë e të bisedoj për sfidat me të cilat përballet sektori. Natyrisht, asnjë vend nuk është zhvilluar nga të tjerët. As Shqipëria nuk bën përjashtim. Ndaj, nuk ka sesi të vij zgjidhja magjike përmes zëvendësimit të shqiptarëve që ikin drejt veriut të Europës dhe Amerikës me Bangladeshas, Afgan dhe Indian, meqë këta të fundit nuk paskan ‘pretendime’. Në fakt, në të dy rastet bëhet fjalë për njerëz dhe jo robot!

Mirëqenia në shoqëri është produkt i kontributit të komunitetit. Fjala vjen, rafineria e Ballshit apo miniera e Bulqizës, nuk mund të jenë vetëm ‘pronë e koncesionarit’, sepse aty kanë kontribut punëtorët, komuniteti lokal dhe shoqëria.

Kjo është arsyeja që të tilla biznese duhet të paguajnë detyrimet që punëtorët dhe komuniteti lokal të jenë pjesëmarrës në të mirën që sigurohet nga sipërmarrja. Sipërmarrësit në partneritet me shtetin duhet të investojnë për kapacitetet njerëzore, për t’i zhvilluar e jo thjesht shfrytëzuar këto sektorë të ekonomisë.

Sado i suksesshëm të jetë një sipërmarrës nuk bën dot pasuri e as prodhon të mira për shoqërinë pa ekipin apo punonjësit. Për një parti të qendrës së majtë, puna, djersa e punëtorit, risku i sipërmarrësit në investim dhe vlera e shtuar në ekonomi, duhet të kenë përparësi absolute.

Në këtë kontekst, shteti duhet të kujdeset për të drejtat e punonjësve në sektorin privat, për shëndetin dhe sigurinë e tyre në punë. Ndërkohë që me sipërmarrësit duhet të vendoset një raport besimi e mirëkuptimi që lehtëson rrugën e sipërmarrjes jo vetëm në funksion të xhepit të tyre, por të sigurimit të të mirave për shoqërinë.

Ky episod na fton që të mos mbetemi as tek konstatimi dhe as tek mohimi i ikjes së shqiptarëve drejt veriut të Europës dhe Amerikës. Pa rikonceptimin e strukturës ekonomike dhe modelit zhvillimor nuk do të mund të frenojmë braktisjen e vendit. E as do të jemi në gjendje të identifikojmë avantazhin e krahasuar të ekonomisë shqiptare, apo të përqafojmë vlerat sociale europiane për punonjësit.

spot_img

Më shumë

spot_img
spot_img