Hapësire reklamuese

Politikë

Ditmir Bushati: Ju tregoj takimin tim me Biden në 2016, kur shoqëroja Ramën për takimin me Obamën (Deklarata e ish-ministrit)

Shkruar nga Newsbomb
Joe Biden - Ditmir Bushati

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, shkruan se sot është një ditë e shënuar për SHBA-të dhe mbarë botën, sepse Joe Biden do të marrë detyrën dhe do të bëhet presidenti i 46-të i vendit.

Sfida më e madhe e Biden sipas Bushatit, është normalizimi i mosmarrëveshjeve politike. Krahas stabilizimit të brendshëm, kjo sfidë ka të bëjë edhe me forcën tërheqëse të modelit që përfaqësojnë SHBA-të në botë, shkruan ish-ministri shqiptar.

Ndërkohë, në planin ndërkombëtar sipas Bushatit, SHBA-të mbeten aktori më i fuqishmëm. Ripërtëritja e aleancës euro-atlantike, sikundër rikthimi aktiv i SHBA-vë në disa nisma të rëndësishme shumëpalëshe pritet të marrë përparësi me administratën Biden, vijon ai.

Teksa ndalet te rajoni dhe Shqipëria, ish-ministri shkruan se fatmirësisht Ballkani nuk është i huaj për Joe Biden.

“Për fatin tonë të mirë, rajoni ynë nuk është i huaj për Presidentin Biden. Përkundrazi! Krahas njohurive të thella për rajonin, ai ka edhe një lidhje shpirtërore, veçanërisht me Kosovën. Do të mbetet gjithnjë e pashlyer në memorien time - teksa shoqëroja kryeministrin Rama në takimin me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë, më 14 Prill 2016, - ndjeshmëria e Zëvendës Presidentit Biden për historinë e dhimbshme të Ballkanit dhe angazhimi i tij për paqen dhe transformimin e rajonit në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, shkruan ndër të tjera Ditmir Bushati.

Shkrimi i plotë:

Sot është një ditë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë botën. Fituesi i zgjedhjeve presidenciale, Joe Biden, merr zyrtarisht detyrën si presidenti i 46-të i vendit. Ai mori 306 vota elektorale dhe më shumë se 81 milion vota popullore, duke thyer çdo rekord të zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Në klimën e polarizuar dhe aktet e dhunës që shoqëruan kontestimin e rezultatit të zgjedhjeve, duket se sfida më e madhe politike për Presidentin Biden është normalizimi i mosmarrëveshjeve politike. Krahas stabilizimit të brendshëm, kjo sfidë ka të bëjë edhe me forcën tërheqëse të modelit që përfaqësojnë SHBA-të në botë.

Si pasojë e Pandemisë COVID-19, bota është në dhëmbët e krizës më të rëndë që ka përjetuar që prej Luftës së Dytë Botërore. Në planin ndërkombëtar, SHBA-të mbeten aktori më i fuqishmëm. Kina është një konkurrent gjithnjë e më sfidues, me të cilën SHBA-të do të përballen në një rivalitet më së shumti teknologjik. Nga ana tjetër, ndikimi i Rusisë, kryesisht në kufijtë e NATO-s, rikthen vëmendjen për një angazhim të strukturuar me të.

Në këtë kontekst, ripërtëritja e aleancës euro-atlantike, sikundër rikthimi aktiv i SHBA-vë në disa nisma të rëndësishme shumëpalëshe pritet të marrë përparësi me administratën Biden. Viti 2021 do të jetë interesant për të testuar edhe ndërveprimin e SHBA-ve me vendet e G7. Gjermania dhe Japonia, dy aleatë të pazëvendësueshëm të SHBA-ve, respektivisht në Europë dhe Azi, tradicionalisht të njohura për qëndrueshmërinë e tyre, janë përfshirë në proceset e ndryshimit të drejtuesve politik.

Për fatin tonë të mirë, rajoni ynë nuk është i huaj për Presidentin Biden. Përkundrazi! Krahas njohurive të thella për rajonin, ai ka edhe një lidhje shpirtërore, veçanërisht me Kosovën. Do të mbetet gjithnjë e pashlyer në memorien time - teksa shoqëroja kryeministrin Rama në takimin me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë, më 14 Prill 2016, - ndjeshmëria e Zëvendës Presidentit Biden për historinë e dhimbshme të Ballkanit dhe angazhimi i tij për paqen dhe transformimin e rajonit në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Pikërisht, kjo lidhje e tij me rajonin, sikundër dhe e ekipit përgjegjës për politikën e jashtme dhe të sigurisë në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit, janë inkurajuese për një vëmendje të shtuar të SHBA-ve në rajonin tonë dhe për një bashkëveprim më të ngushtë me BE-në, duke e konsideruar procesin e transformimit të Ballkanit dhe anëtarësimit në BE, një punë të papërfunduar. Për ne, ky është një moment i rëndësishëm që duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht, duke pasur në vëmendje rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve për stabilitetin demokratik në Shqipëri dhe rajon.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll