Hapësire reklamuese

Politikë

Ditmir Bushati: 21 Janari njollë turpi, shteti vrau 4 protestues! Televizionet kombëtare u vunë në garë për të mbrojtur krimin

Shkruar nga Newsbomb
FotoMontazh: Ditmir Bushati

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, shkruan se 21 Janari 2011 është krim shtetëror, dhe një njollë turpi në historinë e tranzicionit demokratik të Shqipërisë.

Sipas tij, pas një dekade drejtësia nuk ka mundur të japë drejtësi. Ajo ngjarje tragjike sipas socialistit, nxori nga skutat e ndërgjegjes njerëzore instinkte primitive, ku politikanë, propagandistë e madje televizione kombëtare u vunë në garë për të mbrojtur krimin shtetëror.

“Nga drejtësia kërkohet me forcë që të arnojë vrimat të cilat shkaktohen nga erozioni i normave. 21 Janari i vitit 2011, përveçse tragjik për fatin e katër protestuesve, nxori nga skutat e ndërgjegjjes njerëzore instinkte primitive, ku politikanë, propagandistë e madje televizione kombëtare u vunë në garë për të mbrojtur krimin shtetëror, duke relativizuar jetët njerëzore të humbura, e duke tentuar përmbysjen e hierarkisë së vlerave që janë indi lidhës i çdo shoqërie.

Prandaj, zbatimi i detyruar i së drejtës shtrëngon në radhe të parë politikën për të mos harruar e kapërcyer vijat e kuqe dhe ndihmon në ripërtëritjen e virtyteve, të cilat janë parakushte për rendin ligjor demokratik”, shkruan ai ndër të tjera.

Shkrimi i plotë:

Një dekadë drejtësi e munguar!

21 Janari i vitit 2011 mbetet një njollë turpi në historinë e tranzicionit demokratik të Shqipërisë teksa shteti vrau katër protestues të pafajshëm. Për fat të keq, një dekadë më pas, drejtësia nuk është vendosur.

Nga drejtësia kërkohet me forcë që të arnojë vrimat të cilat shkaktohen nga erozioni i normave. 21 Janari i vitit 2011, përveçse tragjik për fatin e katër protestuesve, nxori nga skutat e ndërgjegjjes njerëzore instinkte primitive, ku politikanë, propagandistë e madje televizione kombëtare u vunë në garë për të mbrojtur krimin shtetëror, duke relativizuar jetët njerëzore të humbura, e duke tentuar përmbysjen e hierarkisë së vlerave që janë indi lidhës i çdo shoqërie. Prandaj, zbatimi i detyruar i së drejtës shtrëngon në radhe të parë politikën për të mos harruar e kapërcyer vijat e kuqe dhe ndihmon në ripërtëritjen e virtyteve, të cilat janë parakushte për rendin ligjor demokratik.

Nga drejtësia në proces reformimi pritet një sjellje e re që nuk kufizohet vetëm tek pastrimi i radhëve të saj nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Proces, që ka vështirësitë e veta, por që vijon edhe falë mbështetjes të partnerëve tanë SHBA dhe BE. Tani më shumë se kurrë na duhen gjykata të republikës, ku e drejta mund të kërkohet edhe kundër vetë shtetit. Na duhen magjistratë me integritet, në gjendje për të dhënë drejtësinë e munguar.

Vlera e vërtetë e drejtësisë për një shoqëri nuk mund të llogaritet asnjëherë. Krijimi, forcimi dhe transmetimi i normave pa të cilat ne nuk mund të realizojmë jetën e përditshme, masa e drejtësisë, arsyeshmërisë, faljes dhe tolerancës, pra, ajo që në një masë të konsiderueshme duhet të përbëjë kulturën tonë normative, nuk ka vlerë në shifra. Drejtësia është garancia e vetme, por e heshtur përtej premtimeve të zhurmshme të politikës.

Ndaj në këtë përvjetor të dhjetë të 21 Janarit 2011, teksa nderojmë kujtimin e katër protestuesve të vrarë nga dora e shtetit, përtej ligjërimit politik të ditës, na duhet të rrisim presionin publik për të transformuar pushtetin gjyqësor nga një pushtet i zbehtë dhe i korruptuar në një forcë aktive, shërbimi i të cilit e mbështet shtetin, shoqërinë dhe forcon kohezionin shoqëror.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll