Humbja e zgjedhjeve parlamentare ka lënë një shije të hidhur te anëtarët e vjetër të Partisë Demokratike. Pas Fatbardh Kadillit dhe Bujar Nishanit, është ish-ministri Grnc Pollo që i del kundër kryedemokratit Basha.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Pollo thotë se dita e sotme ishte shumë zhgënjyese për demokratët, ndërsa shton se arsyet e kësaj humbje janë të njohura.
Sipas tij, PD ka nevojë kyçe për të filluar konceptimin e një projekti të ri besimi dhe shprese, duke nënkuptuar se PD ka nevojë për një kryetar të ri.
Postimi i plotë:
Sot është një ditë zhgënjyese dhe e trishtuar për shumë e shumë shqiptarë; por sot është ditë e hidhur për demokratët. Arsyet pse ndodhi kështu janë të shumta dhe përgjithësisht të njohura.
Sot duhen falenderuar kandidatët e aktivistët tanë për fushatën cilësore e duhet shprehur mirënjohja për votuesit tanë besnikë e të shumtë. Por tashti është edhe momenti i përgjegjësisë, qartësisë dhe i urtësisë. Roli i mëtejshëm i Partisë Demokratike është kyç për demokracinë e ligjshmërinë si dhe për perspektivën europiane të vendit. Ashtu si dhe nevoja për të filluar konceptimin e një projekti të ri besimi e shprese.