Tirana
broken clouds
20.5 ° C
20.5 °
20.5 °
78 %
0kmh
75 %
Sht
29 °
Die
31 °
Hën
33 °
Mar
34 °
Mër
31 °
E shtunë, 19 Qershor, 2021
spot_imgspot_img

Ditari i gazetarit: 14 Maji i vitit 2000 dhe debati televiziv me pyetjen “A duhet të vijë Berisha në Vlorë?”

spot_img
spot_img

Lajme të ngjashëm

Shkruan Ergys Alushi

14 maj i vitit 2000, do të ishte një tjetër ngjarje jo e zakontë për qytetin e Vlorës, por edhe për punën time si gazetar.

Ardhja në këtë ditë e kryetarit të PDSH, Sali Berisha, do të shoqërohej me tensione të mëdha, jo vetëm në Vlorë, por edhe në Shqipëri.

Tre vite pas trazirave të marsit 1997, të cilat e kishin larguar Berishën nga pushteti, tashmë lider i PDSH në opozitë, Sali Berisha kishte vendosur të vizitonte Vlorën, të zhvillonte një miting në sheshin e Flamurit, për të thyer në këtë mënyrë, mitin e krijuar në Vlorë dhe në Shqipëri se Berisha nuk duhet të shkelte në Vlorë.

Sot, një ngjarje e tillë, mund të duket absurde, por për kohën kur flasim, ishte një ngjarje që nga mënyra si do të menaxhohej, do të përcaktonte edhe shkallën e një konflikti të mundshëm, që mund të shkaktonte një vizitë e tillë, në Vlorë.

Bashkë me dëshirën e demokratëve të Vlorës që kryetari i tyre të vinte në Vlorë, në sheshin e Flamurit, grupe të vogla militantësh e drejtuesish të PS Vlorë e të bashkisë, organizonin mitingje ku deklaronin se do të pengonin ardhjen e Berishës në Vlorë.

Në emisionin “Pro apo Kundër”, që unë përgatisja çdo ditë të hënë, ora 21.00, pyetja se “ A duhet të vij Berisha në Vlorë?”, ishte një nga pyetjet që shkaktonte më shumë debate tek të ftuarit, të cilët ishin si nga pozita ashtu dhe opozita e kohës.

Ishte një emision dhe një pyetje që kishte shkaktuar në atë kohë edhe një reagim të gjerë qytetarë, të cilët kur më ndeshnin në rrugë apo në institucione, kur shkoja të përgatisja lajmet, reagonin ndaj meje, sipas përkatësisë partiake që kishin.

Mbasditen e së shtunës së 13 majit, me cilësinë e gazetarit, por ndoshta më tepër edhe si drejtues i emisionit “Pro apo Kundër”, ku debatohej dhe për ardhjen e Berishës në Vlorë, zhvillova një takim të shkurtër, me kërkesën e kësaj të fundit,  me shefen politike të ambasadës amerikane.

Zonja, emrin e së cilës nuk e mbaj mend, atë mbasdite ishte akomoduar në një motel të vogël, prej druri, pranë ish-turizmit në zonën e Skelës dhe kishte zhvilluar takime të shkurtra me përfaqësues të shtetit dhe pushtetit në Vlorë.

Në takimin e shkurtër, për rreth 5 minuta, në tarracën e katit të dytë të motelit, e dërguara e Ambasadës së SHBA në Tiranë, teksa më tregonte me dorë njerëzit që shëtisnin në bregun e detit, në vija të përgjithsme më tha se “këtyre njerëzve nuk duhet tu prishej e ardhmja, se jeta jetohet vetëm një herë dhe se për të gjitha këto, duhet të bënim të gjithë nga pak detyrën tonë”.

Ishte një prag mbrëmje e bukur, atë ditë të 13 majit në qytet. Dielli sapo kishte filluar të perëndonte dhe njerëzit dukeshin të shkujdesur, atje tej përgjatë bregdetit.

Mesazhi kishte qenë i qartë.

Duhet të përgatisja një edicion ndryshe nga ditët e tjera, një edicion informativ ku t’ju jepej qytetarëve të Vlorës, mesazhi se nesër nuk do të ndodhte asgjë dhe se pas të dielës, do të kishte përsëri një ditë të hënë dhe jeta do të vazhdonte.

I thashë operatorit të filmonte momente nga shëtitja në bregdet dhe atë mbrëmje, kronika e parë në edicion do të ishte pikërisht dhënia e mesazheve që më kishte sugjeruar shefja politike e Ambasadës së SHBA

Ky do të ishte teksti i asaj kronike

Larg rrëmujës, larg qytetit.

Pamjet që ndiqni në ekran, janë filmuar mbasditen e së shtunës, përgjatë bregdetit.

Njerëz që luajnë me top dhe fëmijë që nuk kuptojnë shqetësimet e të mëdhenjëve.

Këta janë për tu patur zili, në këto ditë të nxehta, kur Vlora është e mbushur me mitingashë, koka të nxehta dhe policë.

Kaq do të mjaftonte për të dhënë mesazhin e qetësisë, që duhet të mbizotërojë të dielën e 14 majit.

Kjo është jeta dhe ajo duhet jetuar, larg konflikteve dhe bindjeve partiake.

(në këtë pjesë kronika ilustrohet dhe me mesazhin e dhënë nga shefja politike e ambasadës amerikane).

Pas të dielës, do të ketë të hënë dhe jeta do të vazhdojë.

Natën e 13 majit, përpara ambienteve të komisariatit të policisë Vlorë, kishte prezencë të madhe policore.

Lokalet aty përpara ishin plot e përplot me policë, me uniformë dhe civilë. Furgona e makina policie që lëviznin për pak kohë nëpër qytet dhe që ktheheshin shumë shpejt për t’u parkuar diku pranë godinës së komisariatit.

të dielën e datës 14 maj,  aty në sheshin e flamurit, lideri i opozitës për kohën, Sali Berisha do të mbante një fjalim, të cilin shumë pak vet në shesh kanë arritur ta dëgjojnë, për shkak të zhurrmës së madhe të shkaktuar prej njerëzve të shumtë në shesh apo dhe për shkak të faktit se Berisha ishte i mbuluar nga njerëz të shumtë që e rrethonin atje lart në posium, aq sa ishte e pamundur që ta shikoje.

Ajo ditë, do të mbetet edhe për shumë kohë në kujtesën time, sepse ndikoi shumë në atmosferën politike, në Vlorë, në Shqipëri, por më shumë akoma, ndikoi në jetën e zakonshme të çdo qytetari të Vlorës, duke i dhënë fund ankthit dhe dielamave që ekzistonin në qytet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Më shumë

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img
spot_img
spot_img
spot_img