Hapësire reklamuese

Politikë

Dita e Europës, Gjosha: Qytetarët kanë nevojë ta ndërtojnë në Shqipëri jetën europiane të fëmijëve të tyre

Shkruar nga Newsbomb

Ministria e Integrimit Europian, në bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, zhvilloi sot në Tiranë aktivitetin “Dyer të hapura për rininë” në kuadër të ditës së Europës.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidenti i ardhshëm i Republikës, Ilir Meta, Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, znj. Romana Vlahutin, përfaqësues të trupit diplomatik të vendeve anëtare të BE, përfaqësues të shoqërisë civile dhe dhjetëra të rinj.

“Qytetarët tanë kanë nevojë që ta ndërtojnë jetën europiane të fëmijëve të tyre këtu, në vendin e tyre. Dua të theksoj se pavarësisht se gjatë gjithë këtyre viteve vazhdimisht procesi i integrimit mund të jetë dukur si një proces teknik, proces i reformave të mëdha, qëllimi i tij është vetëm një: Jetë më e mirë për qytetarët tanë”, tha Ministrja Gjosha në fjalën e saj.

Ministrja theksoi se pavarësisht ngjyrës politike të gjithëve u vjen mirë për sukseset që ka patur Shqipëria me procesin e integrimit katër vitet e fundit duke përmendur statusin e vendit kandidat në 2014 dhe marrjen e rekomandimit pozitiv në 2016.

“Këto arritje ato i përkasin shqiptarëve ashtu siç i përket atyre procesi i integrimit. Ndaj nuk ndjehem mirë, për të qenë e sinqertë, që në vend që këto hapa t’i kurorëzojmë me një tjetër fitore, atë të çeljes së negociatave, vendi sot gjendet në një ngërç të pajustifikuar politik, i cili trondit themelet e demokracisë, por edhe vizionin për të ardhmen e vendit tonë”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja Gjosha, ftoi të rinjtë të kontribuojnë në procesin me energjinë dhe vizionin e tyre për procesin e integrimit, duke i hapur kështu rrugën të ardhmes europiane të vendit. 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu