Hapësire reklamuese

Aktualitet

Disa segmente rrugore të bllokuara, Policia merr masa për derbin Tirana-Partizani

Shkruar nga Newsbomb
Disa segmente rrugore të bllokuara, Policia merr masa për derbin

Të dielën e 3 dhjetorit në “Air Albania” do të luhet derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani. Sfida e vlefshme për javën e 15-të e Superiores do të startojë në orën 19:00. Një ndeshje mjaft historike, si brenda fushës së lojës, por edhe në shkallët e stadiumit.

Në prag të kësaj sfide majft të zellshme, Policia ka marrë masa duke hartuar planin për garantimin e sigurisë dhe rendit. Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve dhe gjithashtu të qytetarëve, pasi në orën 17:00 do të bllokohen disa segmente rrugore.

NË NJOFTIMIN E POLICISË THUHET:

Policia e Tiranës ka hartuar plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve “Tirana” dhe “Partizani”, që do të zhvillohet më datë 03.12.2023, në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania”.

Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë jo vetëm në ambientet e stadiumit, por dhe në një perimetër më të gjerë jashtë tij.

Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore dhe itinerare të përcaktuara për lëvizjen e tifozëve të dy skuadrave.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 17:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:

– Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania”, bulevardi "Dëshmorët e Kombit", nga Presidenca deri te sheshi "Nënë Tereza".

Rrugëkalimet e tifozëve do të jenë si më poshtë:

– Lëvizja e tifozëve të Tiranës do të bëhet nga sheshi "Skënderbej", bulevardi "Dëshmorët e Kombit, rruga "Bajram Curri", ETC, Rruga "Papa Gjon Pali II", COIN - stadium;

– Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet nga kryqëzimi i rrugës "Muhamet Gjollesha" me rrugën "Artan Lenja", përgjatë rrugës "Muhamet Gjollesha", rruga "Sulejman Delvina", “Libri Universitar”, pas Presidencës, sheshi "Frederik Shopen", shkallët e universitetit, MAK Albania - stadium.

Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit të caktuar.

Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle rigoroze ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohen të futen në stadium shtetas pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pavarsisht se mund të jenë të pajisur me bileta, nuk do të lejohen pa praninë e prindit apo kujdestarit (shoqëruar me dokument).

Nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si tifozë problematikë.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura, në oraret e caktuara.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese