Hapësire reklamuese

Politikë

Diplomati i SHBA shkon në SPAK: Prokurorët dhe hetuesit po çrrënjosin krimin dhe korrupsionin në Shqipëri

Shkruar nga Newsbomb
Diplomati i SHBA shkon në SPAK: Prokurorët dhe hetuesit po

I ngarkuari me Punë nga SHBA, David Wisner ka shkuar në zyrat e SPAK këtë të enjte, ku ka zhvilluar një takim me  Kryeprokurorin e Posaçëm të SPAK, Altin Dumani. Gjithashtu, të pranishëm kanë qenë prokurorët e SPAK dhe hetuesit e NBI që po punojnë për të çrrënjosur krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri.

Takimi vjen pas një megaoperacioni të zhvilluar ditën e djeshme nga Policia e Shtetit, ku me ndihmën e Artan Tafanit, i cili bashkëpunoi me drejtësine, u zbardhën gjashtë vrasje dhe u dhanë 15 urdhërarreste.

Ambasada e SHBA në Tiranë zbardhi takimin, ku thotë se Wisner përcolli vlerësimin e SHBA për punën e SPAK , duke theksuar se ai ka mbështetjen tonë të plotë për të kryer misionin e tij në emër të popullit shqiptar.

"SPAK po bën përparim mbresëlënës në objektivat e Shqipërisë për reformën në drejtësi. Sot, i Ngarkuari me Punë David Wisner dhe kolegët e Ambasadës së SHBA-së që mbështesin sektorin e drejtësisë u takuan me Kryeprokurorin e Posaçëm të SPAK-ut Altin Dumani, prokurorët e SPAK-ut dhe hetuesit e NBI-së që po punojnë për të çrrënjosur krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri.

Puna e SPAK dhe të tjerëve në sektorin e drejtësisë kërkon guxim, integritet dhe pasion të jashtëzakonshëm. Z. Wisner përcolli vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për punën e SPAK, duke theksuar se ai ka mbështetjen tonë të plotë për të kryer misionin e tij në emër të popullit shqiptar", thuhej në njoftimin e Ambasadës.

Kreu i SPAK Altin Dumani ka folur sot për një sërë çështjesh me interes që janë pjesë e punës së  këtij institucioni.  Duke folur për fondet e IPARD, ai ka thënë se ka një hetim të ri nga Prokuroria e Posaçme, të cilat ndodhen në fazë paraprake.

Lidhur me dosjen e  sterilizimit, Dumani është shprehur se Prokurorët po reflektojnë sugjerimet e Gjykatës së Posaçme, e cila  kërkoi ndjekje penale ndaj dy ish-ministrave Shkëlqim Cani dhe Ilir Beqaj.

Për dosjen Gërdeci, Dumani tha se SPAK konfirmon se po kryehen të gjitha verifikimet e mundshme dhe se janë nisur drejt SHBA-ve letërporosi dhe se po bashkëpunohet me këtë shtet, ndërsa lidhur me

kallëzimin për çështjen McGonigal, kreu i SPAK tha se çdo informacion dhe e dhënë e publikuar në media, është në vëmendjen e SPAK. Lidhur me kërkesën zyrtare të PD, sipas përcaktimeve ligjore si palë kallëzuese, do të ketë përgjigje brenda kohës së duhur dhe në mënyrën e duhur.

Ndërsa çështja “Beleri”, sipas Dumanit është një çështje si gjithë të tjerat, duke shtuar se i janë respektuar të gjitha të drejtat që parashikon ligji.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese