Nga Anila Basha
Më dridhet zemra tek mendoj sekondat e fundit në det të Jonadës 7 vjeçare. Më ngrijnë gishtat të shkruaj ndërsa kujtoj imazhin e një babai ulur në gurët e ftohtë të bregut të Potamit, me dy duart që pushtojnë kokën që i buçet nga dhimbja e humbja e toruas, e lotët që rrëshkasin pambarimisht duke ia marrë burrërinë prej tropojani me sekonda; më vjen të ulëras teksa kujtoj njerëzit që nxjerrin aparatët e telefonit dhe duan të kenë në celularët e tyre pamjet tragjike të fundit të jetës shpirtërore të një çifti të ri…
Lotët nga sytë s’i ka hequr kush ka parë pamjet. E mandej, më vjen një ngulçimë prej shpirtit, të bërtas e ulëras se në ç’dreq vendi jetojmë ku themi se kemi ligje, po ligje s’ka; ku themi se ka njerëzillëk, por të tillë s’gjen kund; ku themi se kemi rregulla, por i kemi bërë për t’i shkelur e ku duhet të themi me të madhe se NUK KEMI BËRË ASGJË!
Na del pasandaj gjithë shteti, yrra o burra, me kuç e me maç në aksion të përqëndruar, nga mbledhja e plehrave në bregdet, tek mbledhja e skafeve, gomoneve, jetskive e çdo mjeti tjetër ujor që shfrytëzohet nga ata që dinë, tek ata që s’dinë; nga ata që kanë (para), tek ata që s’kanë brekë në bythë…
E bie ndërmend pak më vonë se kemi ligje, po s’kemi akte nënligjore. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë. E kemi parë kryeministrin që nuk reagon në situata të vëna nën presion, por sërish mendoj se “dreqi ta hajë, ky krim monstruoz ka edhe përgjegjës”. Dhe nuk bëhet fjalë për atë policin arrogant që bën cubin në mes të detit, se ai do gjykohet e do dënohet dhe as pendesa dy ditë më vonë e as avokatët nuk do të mund t’i bëjnë gjë për ta shpëtuar. Këtu ka përgjegjësi, shtetërore, institucionale.
Këtu ministrat dalin të mbledhin plehrat me aksione show, por harrojnë të rrinë në zyrë e të bëjnë ligje e rregulla, të bëjnë punën për të cilën janë vendosur në detyrat e tyre.
Ligji për Turizmin parashikon nxjerrjen e aktit nënligjor 6 muaj pas hyrjes së tij në fuqi (në 2020) për “Stacionet sezonale të ankorimit/ bregëzimit”. Ky udhëzim, apo akt nënligjor, mungon sot e gjithë ditën. Nuk ka korridore ujore, ku duhet të rrinë e ku duhet të hyjnë skafet. Kush quhet e ligjshme e kush quhet e paligjshme.
Nuk kemi parë ndonjë bashki bregdetare që tua vendosë me detyrim përcaktim gjithë subjekteve vendosjen e bovave ujore, lidhur me njëra-tjetrën që të mos lejojnë hyrjen e mjeteve ujore brenda zonave ku luajnë vogëlushët tanë. Po kush do ta bëjë këtë? Kush do e marrë përsipër kët lloj përgjegjësie? Çfarë vlere ka pas kësaj tragjedie të tmerrshme që kryepolici del në konferencë për shtyp dhe kërkon bërjen e këtyre akteve nënligjore në pikun e sezonit?
Ngjarje të tilla i kemi parë vit pas viti në brigjet shqiptare. Sa herë që ndodhin, të gjithë ne themi e shkruajmë se “ky është viti i fundit”, e se vitin tjetër nuk do ketë të tilla tragjedi. Por ja që nuk ka ndodhur. Dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi, morale, politike.
Dikush duhet të mbajë përgjegjësi se nuk ka bërë detyrën që duhet të bënte. Kjo, nuk do të lehtësojë asfare dhimbjen e madhe të papërshkrueshme të asaj familjeje që zgjodhi të lërë emigrimin e të vijë të pushojë në Shqipëri. Por, do të ishte një kërkese falje nga ana e strukturave shtetërore që kanë për detyrë të na e bëjnë jetën të sigurt. Në të kundërt, të ruajmë kokën, se kemi me vete veç Zotin; shteti nuk ekziston…
Editorial për Revistën Newsbomb, të cilën e gjeni në çdo pikë shitje në gjithë vendin…