
Deputetët e Bundestagut Gjerman, Peter Bayer nga (CDU) dhe Christian Schmidt nga (CSU) vizituan sot Prishtinën, ku patën takime me zyrtarë të lartë të shtetit përfshirë edhe kryeministrin Haradinaj.
Deputetët gjerman u shprehën se janë kundër shkëmbimit të territorve dhe se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Deputeti nga radhët e CDU-së, Peter Bayer, tha se ‘Bundestagu gjerman është kundër shkëmbimit të territoreve’.
‘Ne do të jemi partner mbështetës të Kosovës për proceset e ardhshme, por sigurisht me një sy kritik’, ka thënë deputeti Peter Bayer pas takimit me kryeministrin Haradinaj.
Të dy deputetët gjermanë, Peter Bayer nga (CDU) dhe Christian Schmidt nga (CSU) në fund shprehen gatishmërinë e Gjermanisë për vazhdimin e mbështetjes në proceset zhvillimore në Kosovë dhe rajon, që do të krijojnë një klimë stabiliteti dhe prosperiteti për të gjitha vendet e rajonit.
Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se ndihet i privilegjuar për interesimin e Gjermanisë për Kosovën ndërsa shtoi se qeveria e Kosovës do të mbesë e angazhuar për të krijuar një ambient paqësor në rajon.