Edi Oga, ekskluzivisht për newsbomb.al.
Dje në kafe bisedova me një mikun tim demokrat, delegat në kuvendin e rithemelimit.
– Si kalove dje në kuvend? A u lodhe?
– Pak po! Më tepër na lodhi ai shiu që nuk pushoi një minutë. Edhe ftohtë ishte.
– Si do t’i vejë halli kësaj pune?
– Vallahi nuk e di, shumë të paqartë jemi.
– Nuk ke besim se doktori do ta çojë këtë punë deri në fund apo çfarë?
– A do të drejtën ti? Se ne që i shkojmë e i mbushim stadiumin doktorin na dinë për budallenj! A e beson ti që unë 90% isha atje se nuk e shoh dot me sy Lul Bashën? Kur ishim në pushtet, keq mirë e çoja një rrogë mësuesi në shtëpi, po kam tetë vjetë pa punë o lum miku, çfarë duhet të bëj unë?
– Mendon se Berisha do të gjejë punë sapo të marrë partinë?
– Mos më bëj pyetje naive. Berisha me ne do mbarojë hallin e vet, kurse ne me Berishën do mbarojmë hallin tonë, të zhdukim Lul Bashën. Boll kohë kemi humbur me atë p…
– Aha, domethënë ti mendon se vetëm Berisha e sjell PD në pushtet dhe atij i takon të jetë kryeministër?
– Jo mor jo se nuk e lë kush Berishën të bëhet kryeministër. Edhe ai e di mirë këtë. Ai ka dy qëllime, do ta zbusi me Amerikën dhe do të heqi kunjën personale që ka me Lul Bashën, se e di ti atë shprehjen, me ta fut Lu… është si me…
– E di e di… kë mendon ti që do caktojë Berisha për kryetar partie?
– Sot për sot është e vështirë, po besoj Belindi do jetë një nga kandidatët… Oerdi, Paloka, nuk e di.
– Ty kush të pëlqen më tepër? Apo atë që mbështet doktori atë do të votosh edhe ti?
– Po qe si Luli, nuk ka shanse të marrë votën time!
– Do futeni me forcë te SHQUP-i?
– Jo vlla! Jam lodh me protesta. Pastaj nuk besoj se Berisha do ta donte këtë opsion.
– Do votosh në referendumin e shkarkimit të Bashës të dielën?
– Mezi po pres! Ta dish që Basha është e keqja më e madhe e PD-së, Berisha është e keqja më e vogël, po për momentin vetëm Berisha mund ta heqë Lulin!
– A e ke problem që këtë që biseduam bashkë ta shkruaj në portal?
– Pa emër po deshe!
– Sigurisht! Rrofsh! Më e mira u bëftë! Për ty, për të gjithë demokratët dhe për të gjithë shqiptarët!