Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio ka shprehur përkrahjen e shtetit të tij për Kosovën, duke thënë se prioritet është vazhdimi i bashkëpunimit dypalësh, si rritja ekonomike dhe lufta kundër korrupsionit.
“Italia është përkrah Kosovës në rrugëtimin e saj të konsolidimit, të sundimit të ligjit… Sot u ndalëm për të biseduar se si ta zgjerojmë bashkëpunimin tonë dypalësh. Prioritetet që janë vazhduar deri më tani, si rritja ekonomike dhe lufta e krimit dhe korrupsionit, kemi ndërmend që të japim edhe më tej kontribut”, është shprehur Di Maio.
Gjatë vizitës së sotme në Kosovë, politikani italian ka prekur edhe çështjen e dialogut, ku ka thënë se Kosova nuk duhet të ketë frikë nga bisedimet me Serbinë.
“Inkurajojmë që të vazhdohet para që të ketë rezultat konstruktiv që është projekt ambicioz por i arritshëm. Kosova nuk duhet te ketë frikë nga dialogu, vetëm do të shërbejë për përforcimin e statusit të saj”, tha ministri italian.