Është dorëzuar në Komisariation e Policisë Shkodër autori i sulmit dhe plagosjes me mjete të forta të policit Admir Okaj në Shkodër.
Policia njofton se 47-vjeçari Ormir Gucia u vetëdorëzua disa orë pasi ndodhi ngjarja para banesës së policit Okaj. Në momentin që ndodhi konflikti, polici Okaj ishte jashtë shërbimit dhe nga sqarimi i policisë konflikti ka ndodhur për motive banale para shtëpisë së dy shtetasve të cilët janë fqinj.
Ormir Gucia e goditi me sende të forta (levë) efektivin e policisë, i cili u dërgua menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës ku mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Ne foto: Efektivi i policisë Admir Okaj
Policia:
Në lidhje me informacionin e dhënë më parë, sipas të cilit shtetasi O. G., 47 vjeç, ka dëmtuar në kokë, me sende të forta, shtetasin A. O., 49 vjeç, (punonjës policie), ju informojmë se pas kontrollit dhe presionit të Policisë, 47-vjeçari është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Shkodër.
AMP dhe grupi hetimor vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.
Lexo edhe: Dhunohet efektivi në Shkodër, policia sqaron ngjarjen: Ishte konflikt i çastit
Policia:
Rreth orës 15:45, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi O. G., 47 vjeç, ka dëmtuar në kokë, me sende të forta, shtetasin A. O., 49 vjeç, banues në Shkodër (punonjës policie, jashtë shërbimit), i cili po merr mjekim në spitalin rajonal të Shkodrës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë konfliktit dyshohet se arma e shërbimit e punonjësit të Policisë është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme, por pa shkaktuar dëmtime.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe vijojnë krehjen e zonës, për kapjen e 47-vjeçarit.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje, po kryen veprime edhe AMP, për të zbardhur rrethanat e përdorimit ose jo të armës së zjarrit, si dhe për të përcaktuar nëse shkrepja e armës ka qenë e pavullnetshme.