Hapësire reklamuese

Aktualitet

Dhoma e Përmbaruesve Gjyqësorë: Qeveria të kthejë kokën nga “talebanët” që po iu marrin shpirtin shqiptarëve, shoqëritë që japin fajde nën petkun e sistemit bankar

Shkruar nga Newsbomb
Dhoma e Përmbaruesve Gjyqësorë: Qeveria të kthejë

Prej ditësh po pritet mbërritja e qytetarëve afganë në Shqipëri, të cilët do të strehohen për pak kohë në vendin tonë, për shkak të situatës në të cilën ndodhet Afganistani.

Sipas Dhomës Kombëtare së Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, e gjithë vëmendja e qeverisë është kthyer te kjo çështje, por ka harruar çështje më të rëndësishme.

Sipas tyre, është koha që qeveria të kthejë kokën nga familjet shqiptare dhe “talebanët” që po i mashtrojnë në mënyrë masive ato, duke u kërkuar “borxhe” të vjetra e të reja dhe ligjëruar në këtë formë, fenomenin e fajdes, që po zhvillohet ditën për diell, nën petkun e sistemit bankar.

Ata bëjnë thirrje që shteti të ndalojë me urgjencë “talebanët borxhmbledhës” që po ju marrin shpirtin edhe studentëve shqiptarë, jo vetëm prindërve të tyre.

Kujtojmë se më herët neësbomb.al e ka ngritur këtë shqetësim për disa firma të cilat japin kredi të shpejta me interesa shumë të larta, por ka shumë raste që këto shoqëri shantazhojnë dhe mashtrojnë qytetarët. Disa prej tyre janë:

FINAL SHA

IUTE CREDIT ALBANIA

MICRO CREDIT ALBANIA

NOA SHA

Deklarata e plotë e Dhomës së Përmbaruesve:

“STUDENTËT” NË AFGANISTAN & SHQIPËRI 

Mbi një javë që shteti ynë as jep, as merr mbi çështje tejet të rëndësishme që kemi ngritur. Ndoshta, të gjithë janë ngarkuar me dyshekë e çarçafë në duar dhe po sistemojnë afganët! Jo se më parë ka dëgjuar dikush. Gjithnjë ka patur diçka më të rëndësishme… Zgjedhjet, pandemia, tërmetet, Reforma në Drejtësi apo zjarret. Thirrja jonë e fundit “Mbroni qytetarët nga skemat e mashtrimit” nuk po tund vendit ende asnjë shtetar.

Çështja “afgane”, tashmë çështje ndërkombëtare është kthyer në çështje qeveritare, paçka se kjo e fundit duhet të këtë të njëjtën empati si për familjet afgane ashtu dhe për ato shqiptare. Veçanërisht për ato qindra në nevojë, të dhunuara nga “talebanët” e këtushëm.

Edhe ne mund të flasim pak për çështjen “afgane”, sa kohë vokacioni social i mikpritjes dhe bujarisë së shqiptarit nuk mund të prekë vetëm qeverinë, ashtu si taksat tona.

Në gjuhën afgane, taleban do të thotë student. “Studentët” ekstremistë fetarë, të indoktrinuar me ligjin e Sheriatit islamik u bënë tmerr i Afganistanit, që e sunduan në vitet ‘96-2001. Gjithë bota e damkosi fjalën taleban, me sinonim të së keqes që s’ka nevojë për koment apo përkthim në asnjë gjuhë. Mjafton të thuash që për ta, gruaja nuk duhet të shkojë fare në shkollë, nuk lejohet të dalë vetëm dhe kur del, të mbulohet me çarçaf e tëra, i ke thënë të gjitha!

Amerikanët i spostuan maleve “studentët” afganë (2001-2021) dhe u përpoqën të mësojnë afganë normalë si të qeverisin, si të drejtojnë, madje dhe si të mbrojnë militarisht vendin e tyre nga ekstremizmi i brendshëm taleban. Pas 20 viteve amerikanët u larguan se menduan lanë një shtet të krijuar, por rezultoi që për disa ditë, shteti afgan u shkërmoq. Sikur të ishte prej letre. 40 milionë afganë mbetën në dorë të kamxhikut taleban. Madje, të plumbit të tyre.

Çështja “afgane” po komentohet shumë. Është çështje kulture, demokracie, apo opiumi do të dalë dikur... Fakt mbetet ajo që shihet në TV çdo ditë: afganë të lebetitur që duan të arratisen nga talebanët.

Kush do t’i strehojë? Sa? Po luhet shumë me dimensionin e bujarisë së shqiptarit, ndërkohë që, Greqia dje, përfundoi së ndërtuari me urgjencë një mur 40 km në kufijtë e saj me Turqinë për të penguar dyndjet.

Shteti shqiptar që nxiton e bërtet për “bujari”, ka një ushtri me 8500 ushtarë, 22 helikopterë, asnjë avion luftarak dhe vetëm 4 anije të mëdha patrullimi. Imagjinohet sikur NATO të mos ishte mbrojtësja e këtij shteti pa asnjë avion mbi kokë që të ruajë hapësirën e vet. Kështu që, detyra ndaj kërkesave të saj… edhe për afganët, është detyrë ndaj vetes!

Mikpritja, si vokacion tipik i popullit tonë është çështje e familjeve shqiptare jo e atyre qeveritare... vajzat dhe djemtë që liruan konviktet e Qytetit Studenti për të pritur viktimat e “Studentëve” të Afganistanit janë bij të familjeve të thjeshta shqiptare dhe jo të atyre qeveritare.

Shqipëria u bë shtëpia e qindra hebrenjve gjatë Luftës II Botërore. Familjet shqiptare rrezikuan jetën e tyre për të strehuar e ruajtur nga  nazistët gjermanë, hebrenjtë që u arratisën nga Serbia, Greqia, Kroacia dhe gjithë Ballkani për t’u strehuar në Shqipëri. Ishin familjet e thjeshta shqiptare, nga fshatrat  dhe qytetet tona, ato që nuk i dorëzuan hebrenjtë, por i mbajtën si miq për “kokë” në shtëpi. Nuk i organizoi as Partia Komuniste, as ajo nacionaliste, por vetë tradita bujare dhe guximtare, e burrave dhe grave të asaj kohe.

Anija “Vlora” me 20 000 shqiptarë në gusht 1991 zbarkoi me shumë dhimbje në Bari-Itali.  Ishte simboli i ikjes dramatike të shqiptarëve nga një Shqipëri ekstrem e varfër postkomuniste. Qeveritë e asaj kohe shqiptare dhe italiane, me një marrëveshje të fshehtë që nuk përmendet asnjëherë, i kthyen të gjithë heronjtë e asaj anijeje, prapa në Shqipëri. Disa u hodhën në det, shumë i shpëtuan edhe rrethimit policor nga një stadium horror në Bari dhe shpëtuan. U arratisën nëpër qytetet dhe fshatrat italiane, ku vendasit bujarë, familjet e thjeshta i morën, strehuan, ushqyen dhe i pranuan ashtu si ishin të dëshpëruar dhe pa shpresë, edhe pse qeveria nuk i pranoi këta “profughi albanesi”. Mikpritja e familjeve italiane vazhdoi edhe më pas, paçka se nuk krahasohet me atë të shqiptarëve që strehuan edhe italianë edhe hebrenj nga tmerret e Luftës së Dytë Botërore.

Eksodi i vitit 1999 i 800 000 kosovarëve në Shqipëri nuk ka asnjë mundësi të përmendet apo krahasohet nga askush. Çdo familje shqiptare hapi shpirtin dhe shtëpitë. Ndau bukën me vëllezërit dhe motrat e tyre që flasin, qajnë dhe gëzojnë Shqip. 40 000 u morën nga familjet kuksiane vetëm në një ditë. Kjo, nuk ishte çështje mikpritjeje, as bujarie, por vëllazërie. Nuk mund të thuhet “e strehova vëllanë apo motrën, kur e kërkonin me e vra!”.

Pra, “hebrenjtë”, “refugjatët shqiptarë” në Itali apo Greqi, bashkë me “kosovarët”, janë çështje që i kanë zgjidhur vetë familjet e thjeshta, populli vetë, pa referendum apo vendim qeverie.

Çështja e Afganëve do të vendosë prapë në sprovë familjet shqiptare, studentët, popullin e thjeshtë, më tepër se qeverinë që mirëpret. Dikur gratë, gjyshet e stërgjyshet tona kanë strehuar dhe ushqyer me sakrifica jete hebrenj, grekë e italianë, paçka se kishin nga 5 e më shumë fëmijë për të rritur.

Shpejt do të shihet, si shqiptarët do të reagojnë ndaj një kulture krejt të huaj si ajo afgane. Si do sillen me ata që po arratisen nga një “komunizëm vrastar fetar”. A do të përfshihen aq shumë sa të krijojnë fondacione si “Fillimjava ndryshe” apo “Shqiptari për afganin”, apo do të qëndrojnë indiferentë?

Ndërkohë, qeveria të kthejë kokën nga familjet shqiptare dhe “talebanët” që po i mashtrojnë në mënyrë masive ato, duke u kërkuar “borxhe” të vjetra e të reja dhe ligjëruar në këtë formë, fenomenin e fajdes, që po zhvillohet ditën për diell, nën petkun e sistemit bankar.

Shteti të ndalojë me urgjencë “talebanët borxhmbledhës” që po ju marrin shpirtin edhe studentëve shqiptarë, jo vetëm prindërve të tyre. Ky është detyrim më i madh se ai ndaj afganëve!

Lexo gjithashtu

Sondazh

Gazetari Eduard Ilnica është dhunuar barbarisht mbrëmjen e së hënës nga disa persona. Për shkak të një shkrimi botuar në gazetën lokale për ekipin e Kastriotit.

Sakaq, ka reaguar demokrati Genc Pollo që akuzon qeverinë për mosmarrje dënimi apo solidarizim për rastin në fjalë.

Pollo thotë se liria e shtypit ka rënë poshte.

“Edhe një gazetar tjetër i dhunuar barbarisht pasi bëri detyrën, raportoi për dhunën në stadium. Në mes të Tiranës! Asnjë dënim apo solidarizim nga qeveria, ministri i Brendshëm, i Sportit. Si dhe më parë. Liria e shtypit poshtë”, shprehet deputeti në një deklaratë për mediat.