Hapësire reklamuese

Bota

Dhoma e Përfaqësuesve miraton paketën stimuluese prej 1.9 trilionë dollarësh për Covid-19

Shkruar nga Newsbomb
Dhoma e Përfaqësuesve

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi një paketë masive stimuluese kundër COVID-19 që do t’i japë mbështetje ekonomisë së vendit dhe do të injektojë miliarda dollarë në sistemet shëndetësore globale.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson shpjegon se reagimi amerikan ndaj pandemisë ka evoluar gjatë vitit të kaluar dhe tani vëmendja kryesore është tek vaksinimet:

Vaksinat kanë filluar të bëhen thuajse në çdo cep të globit. Në Shtetet e Bashkuara është vaksinuar deri tani rreth 10% e popullatës. Ndërkaq demokratët po punojnë për miratimin e një ligji transformues për të luftuar pandeminë:

“Jemi në prag të dërgimit të ligjit tek presidenti për të ndihmuar që ta mposhtim pandeminë e COVID-it. Ajo do të mundësojë më shumë vaksinime, kthimin e fëmijëve pa rrezikuar në shkollë, më shumë fonde për njerëz në nevojë dhe rihapjen e më shumë vendeve të punës,” tha ligjvënësi Jim McGovern.

Akti legjislativ me vlerë 1.9 trilionë dollarë do t’i japë formë të re ekonomisë duke ofruar mbështetjen më të madhe kundër varfërisë në 100 vjet. Republikanët thonë në kritikat e tyre se projektligji merret me shumë më tepër tema se sa pandeminë.

“Nuk po ekzagjeroj nëse them se shumica po e shfrytëzon krizën për të miratuar axhendën e tyre me politika progresiste,” tha ligjvënësi republikan, Tom Cole.

Por disa analistë thonë se vetë përmasat e paketës së ndihmave do të kenë ndikim të ndjeshëm jo vetëm në ekonominë amerikane por edhe atë globale.

“Ky projektligj prej 1.9 trilionë dollarësh do të rrisë 1% ekonominë globale. Kjo sipërmarrje është e jashtëzakonshme. Nëse do ta vëmë nën kontroll pandeminë dhe të rihapim ekonominë, do të shohim rritje ekonomike me ritme shumë të larta,” thotë analisti Stephen Morrison.

Projektligji parashikon 11 miliardë dollarë ndihma ndërkombëtare që do të stabilizojnë programet kundër COVID-it në vende në zhvillim dhe do të ndihmojnë vazhdimësinë e punës së COVAX-it. Ekspertët e shëndetësisë thonë se vetëm vaksinimi i amerikanëve nuk mjafton:

“Viruset nuk duan t’ia dinë për kufinj. Nëse vazhdon vaksinimi me ritme të ngadalta, ka shumë mundësi të shfaqen variante të reja që kërcënojnë efikasitetin e vaksinave ekzistuese dhe ndoshta i bëjnë të pavlefshme,” thotë Dr. Ashish K. Jha.

Propozimi i mbështetur nga Presidenti Biden është paketa e pestë me ndihma kundër pandemisë. Ky projektligj gëzon mbështetje të gjerë mes amerikanëve, sipas anketave të fundit. Por pas shpenzimeve rekord që miratoi Kongresi si resultat i krizës së koronavirusit, nuk ishte e lehtë të gjendej mbështetje për ndihmat ndërkombëtare.

“Këto ndihma janë afirmim i faktit që ndreqja e situatës brenda Shteteve të Bashkuara, kapërcimi i krizës së pandemisë dhe rihapja e ekonomisë do të arrihen me sukses vetëm nëse bëhen në formë universale në mbarë botën. Nuk duhet ta mendojmë zgjidhjen sikur jetojmë në ishuj të izoluar,” thotë analisti Morrison.

Sapo Presidenti Biden ta nënshkruajë ligjin këtë javë, shumë familje amerikane me të ardhura të ulëta e të mesme do të marrin 1400 dollarë brenda pak ditësh.

VOA

Sondazh

Poll