Hapësire reklamuese

Aktualitet

‘Deti’ vendoset në Hagë, kolonel Myslim Pashaj tregon ku ‘çalon’ Shqipëria: Kam më shumë besim te gjykata se teknikët shqiptarë

Shkruar nga Newsbomb
Myslim Pashaj

Ditën e sotme kryeministri Edi Rama priti në një vizitë zyrtare ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias, ku u diskutua për çështjen e detit.

Në fund u vendos që kësaj çështje t’i japë zgjidhje Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, por ky vendim solli reagime të shumta në vendin tonë.

Kolonel Myslim Pashaj, që denoncoi marrëveshjen e ndarjes së kufirit detar Shqipëri-Greqi në vitin 2009, e cila më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese komentoi për Abcnews.al vendimin e ri të dy vendeve për t’iu drejtuar Hagës për të zgjidhur përfundimisht këtë çështje.

Ai u shpreh se vizita e Dendias ishte me interes, por thotë se nuk arrin të kuptojë pse kjo çështje do të çohet kaq shpejt në Hagë.

“Vizita e ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias në Shqipëri pritej me interes. Por nuk e di se përse nuk u ezauruan të gjitha shkallët, pasi u negociua për më shumë se dy vite për çështjen e kufirit detar, por palët shkuan në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës” tha ai.

Tashmë që çështja është në dorën e ndërkombëtarve, Pashaj shprehet se pika e dobët e Shqipërisë janë grupi i teknikëve.

“Domosdo më shumë besim kam te teknikët e gjykatës së Hagës, që bazohen te e drejta ndërkombëtare, sesa te teknikët që do të përbëjnë grupin shqiptar. Plus që një rol të rëndësishëm luan edhe avokati, por edhe lobimi. Duhet të mbrohet vendimi i gjykatës Kushtetuese që rrëzoi marrëveshjen me Greqinë në 2009” tha ai.

Por a do të kërkojë kjo shumë kohë?

“Jo, puna është te njerëzit, teknikët dhe materiali që ata do të paraqesin. Një problem në vete për shembull është Gjiri i Sarandës.

Grupi që do të përfaqësojë Shqipërinë duhet të përbëhet nga njerëz shumë të aftë që e njohin çështjen, por duke parë atë që ka ndodhur nga viti 2009 dhe këtej në këto 11 vite nuk kam besim” tha ai.

I pyetur nëse është e nevojshme një ekspertizë nga një palë e tretë për të ndihmuar, ai e mohoi.

“Fokusi duhet të jetë te teknikët dhe avokati që do të na përfaqësojë në Hagë, ku tashmë do të vendoset përfundimisht për detin” përfundoi ai.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll